– Janë të evidentuara mbi 253 debate që ka mbajtur Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” përgjatë këtyre 22 viteve. Debate cilësore dhe në shërbim të qytetarëve dhe shoqërisë civile, debate e arena ballafaqimi mes të zgjedhurve dhe qytetarëve pati gjatë këtyre viteve. Klubi e ka kryer misionin e vet dhe mbetet lider dhe arkiv për shumë zhvillime ka thënë Musa Sabedini. Zgjatja e pandemisë ka ndikuar edhe në dinamikën e debateve që ka organizuar për këto 22 vite Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, kështu ka thënë Musa Sabedini kryetar i këtij klubi i cili sot shënon 22 vjetorin e themelimit. Musa Sabedini ka thënë se gjatë vitit 2021 kanë arritur të mbajtëm vetëm një debat, krejt kjo për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia. “Vullneti ynë ishte i njëjtë, por kushtet që dolën nga pandemia e ndryshuan komplet rrjedhën dhe dinamikën e debateve” ka shtuar Sabedini. Sabedini shton se debatet e Klubit do të mbesin një thesar dhe arkiv i mirë, një shembull dhe një model i organizimit dhe trajtimit të temave më delikate për qytetin e Gjilanit. “Me pak buxhet, madje me buxhet të kufizuar kemi trajtuar temat më aktuale për Gjilanin dhe Anamoravën. Mburrem me punën e mirë në këtë drejtim dhe me ekipin e mirë të kolegëve që më kanë përcjellur për të qen në nivel të detyrës. Kemi rezultate të mira, të prekshme dhe të dobishme për Gjilanin dhe janë të regjistruara edhe përmes fotografive të shumta që posedon Klubi në arkivin e tij” ka nënvizuar Sabedini. “Është nder dhe kënaqësi që ta rrumbullakësosh një punë kolosale që ka ndikuar në jetën e përgjithshme të shoqërisë dhe në edukimin e mirë të informimit të gjithanshëm” është shprehur tutje Musa Sabedini teksa flet për 22 vjetorin e themelimit të këtij klubi. Sabedini thotë se nuk ka qen e lehtë së pari të themelohet një klub, ku punën e tyre e zhvillojnë ose e kanë zhvilluar disa media të ndryshme.”Kishim vullnet, energji dhe solidaritet për t`i quar gjërat përpara, ishin kushte tjera në vitet e pas luftës dhe duhej shumë sakrificë për të informuar në kushtet e atëhershme. E filluam nga zeroja dhe tani kemi arritur numrin e mbi 253 debateve që janë mbajtur gjatë këtyre viteve”. Sipas Sabedinit gazetarët e Gjilanit për këto 22 vite me përkushtim ishin në nivel të detyrës dhe asnjëherë nuk janë gjunjëzuar para së keqes e dukurive negative. “Thjesht, ishim vrojtues dhe njëkohësisht atakues të gjithçkaje që ishte interes i qytetarëve. Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështirë” ka thënë Sabedini. Ndryshe, “Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar më 16 janar 2001, me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi, ka organizuar dhe mbajtur mbi 253 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës. “Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse” thotë Musa Sabedini. Musa Sabedini ka përkujtuar se ky Klub për këto 22 vite ishte në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin, duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale. Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini tha se tashmë janë bërë 22 vite që ecëm e rrugëtuam bashkë. “Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet. E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën”, ka thënë Sabedini. “Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve”. Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. ”Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështirë”. Sabedini shton se tryezat dhe debatet e Klubit ishin arenë konfrontimesh, idesh e sugjerimesh. “Dhe, ju sigurojë që, edhe në vitet e tjera, ky Klub do të jetë në shërbim të profesionit të tij, gazetarisë hulumtuese, dhe në shërbim të avancimit të vlerave morale e njerëzore të të gjithë atyre që duan një ambient, ku mbizotëron ligji, ku krimi goditet pamëshirshëm, ku viktima mbrohet, dhe ku e keqja merr përgjigjen e merituar” ka thënë Sabedini.