Gjilan

30 familje skamnore të Gjilanit përfitojnë ndihma ushqimore nga komuniteti gjerman

Gjilan, 9 nëntor 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesin e komunitetit gjerman, përkatësisht priftin e kishës katolike, Erich Steigner, i cili ka sjellur ndihma ushqimore për 30 familje skamnore të Komunës së Gjilanit, fonde të cilat janë grumbulluar nga populli gjerman në vlerë prej 55 euro për secilën familje.

Kryetari Haziri, ka falënderuar Steigner dhe gjithë popullin gjerman për angazhimin dhe kontributin e tyre për përcaktimin që mjetet buxhetore të vijnë në Gjilan dhe pikërisht tek familjet me gjendje më të rëndë ekonomike dhe sociale.

“Jemi falënderues për përcaktimin që të ndihmohen familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Pa mbështetjen tuaj të vazhdueshme është vështirë ta përballojmë këtë gjendje. Mjetet që ju keni siguruar do të shkojnë në vendin e duhur dhe me prezencën tuaj njëkohësisht tek të gjitha familjet që do të përfitojnë. Përcaktimi juaj që ta ndihmoni Kosovën dhe Gjilanin që nga paslufta është për t’u përshëndetur dhe për të qenë mirënjohës të vazhdueshëm, sepse këto familje përpos angazhimit të Komunës së Gjilanit, marrin mbështetje edhe nga shumë njerëz të vullnetit të mirë vendor dhe ndërkombëtar për çka ne jemi gjithmonë falënderues”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Kurse nga ana e tij në emër të të gjithë kontribuesve të popullit gjerman, Erich Steigner, që është prift nga kisha katolike, ka konfirmuar edhe njëherë që ky aksion nuk do të ndalet asnjëherë, por do të shënoj rritje të vazhdueshme derisa të ketë kontribues për këtë qështje humanitare.

“Jemi të vendosur ta vazhdojmë këtë aksion edhe në të ardhmen. Që nga viti ’99 jemi duke shpërndarë ndihma në gjithë Kosovën. Gjithashtu, me ndihma të formave të ndryshme e kemi ndihmuar edhe Gjilanin vazhdimisht. Bashkëpunimi me Komunan e Gjilanit është jashtëzakonisht i mirë dhe shumë i kënaqur, gjithashtu edhe bashkëpunimi me Kryqin e Kuq, institucione me të cilat jemi në kontakt të vazhdueshëm për kushte më të mira për familjet në nevojë”, ka thënë mes tjerash ai.

Ndryshe gjatë kësaj jave do të bëhet shpërndarja e ndihmave ushqimore për 30 familje skamnore, për ta zbutur sadopak varfërinë e tyre.

You Might Also Like