Prend Buzhala
ANTON NIKË BERISHA, PROFILI KRIJUES I NJË UNIVERSI LETRAR DHE STUDIMOR
(Në 80-vjetorin e lindjes)
Anton Nikë Berisha përfaqëson një nga ato personalitete komplekse të letërsisë shqipe që nuk mund të përkufizohen vetëm përmes një zhanri, një fushe studimore apo një periudhe krijuese. Veprimtaria e tij shtrihet në disa rrafshe njëkohësisht: në krijimtarinë artistike, në kritikën letrare, në teorinë e letërsisë, në studimet monografike, në letërsinë gojore, në letërsinë arbëreshe, në hartimin e antologjive, në përkthim dhe në studimet që lidhen me trashëgiminë shpirtërore e kulturore shqiptare. Pikërisht kjo shumësi e bën profilin e tij krijues të veçantë.
Te Anton Nikë Berisha kemi të bëjmë me fusha të shumta që krijojnë një sistem të brendshëm. Studiuesi, shkrimtari, interpretuesi, folkloristi, antologjisti dhe përkthyesi takohen në të njëjtën pikë: te fjala dhe te vlera e saj estetike. Kjo është arsyeja pse vepra e tij shihet si një univers i ndërtuar gradualisht, gjatë dekadave, ku një libër e vazhdon tjetrin, një studim hap një problem të ri, ndërsa një interpretim lidhet me një përvojë tjetër krijuese. Vetë shtrirja e veprimtarisë së tij, nga teoria dhe estetika te letërsia gojore, nga letërsia arbëreshe te romani dhe nga antologjia te përkthimi, dëshmon një profil shumëdimensional.
1. Receptimi i veprës së Anton Nikë Berishës nga studiues të tjerë
Një tregues i veçantë i rëndësisë së veprës së Anton Nikë Berishës është edhe receptimi i gjerë kritik e studimor që ajo ka nxitur. Mbi tridhjetë vëllime studimore, të shkruara ose të përgatitura nga autorë e studiues të tjerë, i janë kushtuar krijimtarisë së tij letrare dhe veprimtarisë së tij shkencore.
Ky korpus dëshmon se vepra e Berishës s’ka mbetur vetëm objekt leximi, por është shndërruar në objekt të vazhdueshëm interpretimi, vlerësimi dhe debati akademik. Përmasat e këtij receptimi janë të pazakonshme: krijimtarisë së tij letrare dhe veprimtarisë studimore i janë kushtuar, siç u tha, mbi tridhjetë vëllime të veçanta, monografi individuale, libra studimorë, përmbledhje punimesh të shumë autorëve shqiptarë e të huaj, si dhe botime të përqendruara në romane ose në fusha të veçanta të veprimtarisë së tij.
Ky korpus kritik nis të marrë formë të gjerë sidomos me librin “Roman i bukurisë së pamort dhe i trishtimit të pashuar” (2006), kushtuar romanit “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, për të vijuar me studimin dygjuhësh të Domenico Corradini H. Broussard “Narrando gli abissi – Rrëfime të thellësive” (2009), ku trajtohen tri romane të Berishës. Po më 2009, Giuseppe Napolitano, Qasje veprës letrare të Anton Nikë Berishës. Approccio all’ opera letteraria di Anton Nikë Berisha. Shtëpia botuese “Faik Konica” 20019, Prend Buzhala botoi “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, një studim të përqendruar në romanet e tij për të rritur.
Me këto botime fillon të përvijohet qartë një dukuri e veçantë: vepra e Berishës nuk lexohet më vetëm përmes recensioneve dhe shkrimeve të veçuara kritike, por bëhet objekt librash të tërë studimorë.
Një dëshmi e rëndësishme e përmasës së këtij receptimi është seria “Vepër e pasur dhe e qenësishme”. Vëllimi i parë, i botuar më 2011, përmbledh 92 punime të 61 autorëve për veprat e Anton Nikë Berishës. Vëllimi i dytë, i botuar më 2016, përmban 105 punime të 63 autorëve shqiptarë dhe të huaj, ndërsa vëllimi i tretë, i botuar më 2021, sjell edhe 70 punime të tjera të autorëve shqiptarë e të huaj. Vetëm këto tri vëllime dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të receptimit të veprës së tij dhe për shumëllojshmërinë e këndvështrimeve prej të cilave ajo është lexuar.
Krahas botimeve kolektive u krijua edhe një varg monografish individuale. Isak Ahmeti botoi “Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë” (2014), ndërsa Anton Çefa “Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik” (2015). (Hamdi) Erjon Muça iu kushtua veprës së Berishës fillimisht me “Në botën e thesareve poetike” (2016), ku vështroi shtatë vepra, e më pas me “Libër për një libër” (2019), studim i posaçëm për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”.
Në këtë varg hyjnë edhe Fatmir Minguli me “Vepra që i bëjnë nder letërsisë dhe botës” (2019), Ajete Zogaj me “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” (2021), Timo Mërkuri me “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrjeje” (2022), Mikel Gojani me “Vëzhgime disa veprave të Anton Nikë Berishës” (2024), si dhe autorë të tjerë.
Vëmendje të posaçme ka tërhequr krijimtaria romanore. Sidomos “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” është bërë objekt i një receptimi të gjerë kritik edhe jashtë rrethit të studiuesve shqiptarë. Në vitin 2016 u botua “Romanzo di estrema bellezza”, me punime të 22 shkrimtarëve dhe studiuesve italianë e arbëreshë për romanin.
Një vit më vonë doli “Roman i bukurisë së skajshme”, me shkrime të 25 autorëve italianë dhe arbëreshë, ndërsa më pas “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike” mblodhi 52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për të njëjtën vepër.
Vetë fakti se një roman bëhet objekt i disa librave të veçantë kritikë dhe se rreth tij shkruajnë dhjetëra autorë nga mjedise të ndryshme kulturore dëshmon për një jetë të veprës përtej momentit të botimit. Teksti vazhdon të prodhojë lexime, interpretime dhe gjykime të reja – pikërisht atë shumësi kuptimore që Anton Nikë Berisha e ka mbrojtur edhe në mendimin e tij teorik.
Edhe vepra të tjera kanë krijuar receptimin e tyre të posaçëm. “Prushi i bukurisë, – Përsiatje poetike për artin e fjalës” u bë objekt i një vëllimi me 26 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Romanit “Nëna e Dritës” iu kushtua vëllimi “Roman që përjetëson poetikisht botën shpirtërore të Nënës Tereze”, me katërmbëdhjetë punime. Kjo tregon se interesimi kritik nuk është kufizuar në një vepër të vetme, por ka ndjekur zhanre dhe periudha të ndryshme të krijimtarisë së Berishës.
Përkundrazi, botimet vazhdojnë. Autori i këtij punimi (Prend Buzhala) ka botuar katër libra për këtë autor. Arsim Halili botoi më 2024 “Rrëfimi poetik në tri romane të Anton Nikë Berishës”, ndërsa po atë vit u botua edhe vëllimi “Rreth veprës letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës”, me punime nga takimi letrar kushtuar atij në Lezhë.
Një formë tjetër të receptimit përfaqëson libri i Ragip Sylës “Me Anton Nikë Berishën. Vështrime librash – Biseda – Letërkëmbim” (2025), ku studimi i veprës ndërthuret me dëshminë, bisedën dhe komunikimin intelektual me autorin.
Edhe botimet e vitit 2026 dëshmojnë vazhdimësinë e kësaj vëmendjeje: Timo Mërkuri me “Romane vlerash poetike të lartësisë” i rikthehet romaneve për të rritur, ndërsa Sabahajdin Cena, me “Vepra që dëshmojnë dije dhe përkushtim”, përqendrohet në disa prej veprave studimore të Berishës dhe Natasha Xhelili, Rreth soneteve të Anton Nikë Berishës (studim për lirbin “Hire të vetmisë”).
Pra, kemi të bëjmë me një receptim që është zhvilluar në disa drejtime: janë studiuar romanet për të rritur dhe romanet për fëmijë, veprat studimore e teorike, koncepti poetik i tij, mënyra e rrëfimit dhe vepra të veçanta.
Krahas monografive të një autori janë botuar libra kolektivë ku marrin pjesë dhjetëra studiues shqiptarë, arbëreshë, italianë dhe autorë të tjerë të huaj. Ky fakt e bën rastin e Anton Nikë Berishës interesant edhe nga pikëpamja e historisë së receptimit letrar. Përreth veprës së tij është krijuar gradualisht ajo që mund të quhet një bibliotekë kritike më vete.
Dhe numri i librave është vetëm njëra anë e saj. Më domethënëse është shumëllojshmëria e leximeve që ato përmbajnë. Një autor mund të ketë një bibliografi të gjerë, por receptimi merr një kuptim tjetër kur vepra e tij bëhet vazhdimisht objekt monografish, vëllimesh kolektive, studimesh tematike dhe interpretimesh në mjedise të ndryshme kulturore.
Në këtë mënyrë, përkrah opusit që ka krijuar vetë Anton Nikë Berisha, është formuar edhe një opus për Anton Nikë Berishën. Në njërën anë qëndrojnë romanet, letërsia për fëmijë, studimet teorike e letrare, monografitë, veprat për letërsinë gojore dhe arbëreshe, antologjitë e përkthimet; në anën tjetër, mbi tridhjetë vëllime që i lexojnë, i interpretojnë dhe i rivlerësojnë këto vepra.
Ky dialog ndërmjet veprës dhe kritikës është ndoshta një nga dëshmitë më të qarta të jetës së një krijimtarie: vepra vazhdon të ekzistojë jo vetëm duke u lexuar, por duke nxitur të tjerët të shkruajnë libra për të.
2. Fjala si qendër e një veprimtarie shumëplanëshe
Në qendër të gjithë kësaj veprimtarie është fjala. Për Anton Nikë Berishën, fjala shkon tutje mjetit të komunikimit. Ajo është mënyrë e njohjes së botës, është trajtë e ruajtjes së kujtesës, shtjellim – strukturë artistike dhe formë e identitetit kulturor.
Kjo qasje shihet qartë në veprat e tij studimore. Libra si “Përkime poetike”, “Mundësi interpretimi”, “Çështje të letërsisë gojore”, “Teksti poetik”, “Mbi letërsinë gojore”, “Shumësia kuptimore”, “Çështje teorike të letërsisë” dhe “Njëmendësia e fjalëve” dëshmojnë se interesimi i tij s’ka qenë vetëm për një autor ose një periudhë, por për vetë natyrën e veprës letrare.
Në këto libra, Berisha merret me çështje themelore: çfarë e bën një tekst letrar? Si ndërtohet kuptimi? Çfarë marrëdhënieje ekziston ndërmjet gjuhës dhe veprës? Çfarë roli ka lexuesi? Si mund të interpretohet një vepër pa e reduktuar atë në një kuptim të vetëm?
Këtu lind edhe një nga konceptet më të veçanta të mendimit të tij: shumësia kuptimore. Vepra letrare nuk është një trup i ngrirë. Ajo nuk e ka vetëm një kuptim dhe nuk mund të mbyllet me një interpretim përfundimtar. Ajo është një strukturë e hapur, që mund të prodhojë lexime të ndryshme në kohë të ndryshme dhe për lexues të ndryshëm. Kësisoj, edhe kritiku nuk është arbitër absolut. Ai është interpretues.
Në këtë pikë qëndron një nga dallimet më të rëndësishme të modelit kritik të Anton Nikë Berishës. Për të, kritika nuk duhet ta mbyllë veprën, por ta hapë atë. Interpretimi nuk duhet ta zëvendësojë tekstin, por ta bëjë më të dukshëm kompleksitetin e tij, shumë kuptimësinë e tij.
3. Vepra përpara biografisë
Një tjetër tipar i rëndësishëm i mendimit të tij studimor është përparësia që i jep veprës ndaj biografisë së autorit. Në vend që shkrimtari të shndërrohet në kult, vendoset teksti në qendër. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme kur Berisha merret me autorë që për periudha të gjata qenë të ndaluar, të mënjanuar ose të lexuar përmes filtrave ideologjikë. Rikthimi te këta autorë nuk bëhet për t’i mitizuar, por për t’i rilexuar.
Në këtë frymë duhen parë studimet për Jeronim De Radën, Zef Skiroin, Martin Camajn, Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën e autorë tjerë.
Te “Vepra letrare e Martin Camajt”, Berisha përqendrohet te mëvetësia e krijimtarisë së Camajt, te veçantitë e saj shprehëse, gjuhësore dhe artistike. Te “Ernest Koliqi poet e prozator”, ai e sheh Koliqin si krijues me një botë të pasur të ideve, motiveve dhe strukturave narrative, ndërsa te studimi për Fishtën, “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë”, vëmendja përqendrohet te përmasat estetike, gjuhësore, historike dhe kulturore të veprës.
Këto studime kanë një rëndësi të dyfishtë. Nga njëra anë, ato rikthejnë në qendër autorë dhe vepra që për arsye politike e ideologjike qenë lënë në hije. Nga ana tjetër, e bëjnë këtë rikthim përmes shqyrtimit dhe kriterit artistik.
Në këtë mënyrë, gjykimi kritik zhvendoset nga pyetja “kush ishte autori?” te pyetja “çfarë vlere poetike ka vepra?”.
4. Letërsia gojore si themel i artit të fjalës
Një nga fushat ku Anton Nikë Berisha ka dhënë kontribut të madh është letërsia gojore shqiptare. Interesimi i tij për këngët, përrallat, anekdotat, këngët kreshnike dhe format e tjera të krijimtarisë gojore s’ka qenë vetëm mbledhës ose dokumentues. Ai i ka trajtuar ato si vepra artistike.
Ky është një dallim i rëndësishëm. Letërsia gojore, në qasjen e tij, nuk është thjesht dëshmi e një zakoni të vjetër, dokument etnologjik apo material historik. Ajo ka strukturë, figuracion, ritëm, simbolikë dhe estetikë. Si e tillë ndikon artistikisht në marrësin.
Në libra si “Çështje të letërsisë gojore”, “Mbi letërsinë gojore” dhe “Qasje poetikës së letërsisë gojore”, Berisha merret pikërisht me këto dukuri. Ai studion marrëdhëniet ndërmjet krijuesit dhe përcjellësit gojor, strukturën e këngës, formulësimet, klasifikimin, poetikën e përrallës dhe mënyrën se si krijimtaria gojore ndryshon e përtërihet gjatë transmetimit prej një individ te tjetri, prej një brezi në tjetrin.
Në këtë fushë ai ka bashkëpunuar edhe me Anton Çettën dhe studiues të tjerë në botime të këngëve, anekdotave, përrallave dhe materialeve të tjera folklorike.
Një rëndësi të veçantë kanë edhe përkimet ndërmjet letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar. Këtu Berisha kërkon të zbulojë se si motive, struktura, figura, ritme dhe modele narrative të traditës gojore kalojnë në krijimtarinë e autorëve që i kanë shkruar veprat.
Për këtë arsye, letërsia gojore te ai nuk është e shkuar e vdekur. Ajo është një burim që vazhdon të ushqejë artin e fjalës së shkruar.
5. Bota arbëreshe si pjesë e qenësishme e letërsisë shqiptare
Një tjetër fushë e rëndësishme e punës së Anton Nikë Berishës është letërsia arbëreshe e Italisë. Ai është marrë me këtë letërsi për dekada, jo vetëm si studiues, por edhe si ligjërues dhe njohës i drejtpërdrejtë i botës arbëreshe.
Në studimet e tij, letërsia arbëreshe nuk paraqitet si degë periferike e letërsisë shqiptare. Përkundrazi, ajo është pjesë organike e saj dhe nga më cilësoret.
Kjo shihet në librat “Mbi letërsinë e arbëreshëve të Italisë”, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, studimet për Zef Skiroin dhe në shumë shkrime të tjera që lidhen me De Radën, Vorea Ujkon, Zef Skiro di Maxhon, Lluka Perronen dhe autorë të tjerë arbëreshë.
Në këtë fushë bashkohen disa prej interesimeve kryesore të tij: letërsia gojore, letërsia e shkruar, historia e letërsisë dhe interpretimi. Berisha kërkon lidhjet ndërmjet poezisë gojore arbëreshe dhe krijimtarisë së shkruar. Ai ndjek vazhdimësinë e motiveve, figurave, strukturave dhe botës shpirtërore. Kështu, interpretimi i letërsisë arbëreshe bëhet njëkohësisht interpretim i kujtesës. Bota arbëreshe dëshmon se identiteti mund të ruhet përtej kufijve gjeografikë, përmes gjuhës, këngës, letërsisë dhe kujtesës kulturore.
6. Antologjisti dhe kriteri i përzgjedhjes
Anton Nikë Berisha ka zhvilluar një veprimtari të rëndësishme edhe si hartues antologjish dhe përzgjedhës tekstesh. Këtu hyjnë antologji të përrallës shqipe, poezisë gojore arbëreshe, poezisë bashkëkohore arbëreshe, poezisë së përshpirtshme dhe këngëve kreshnike. Ka përgatitur gjithashtu vëllime me poezi të zgjedhura të Mirko Gashit, Azem Shkrelit, Vorea Ujkos, Mirko Gashit, Agim Gjakovës, Visar Zhitit, Zef Skiro di Maxhos, Agim Matos, Sabit Rrustemit dhe autorëve të tjerë.
Edhe kjo veprimtari lidhet me të njëjtën filozofi studimore. Përzgjedhja nuk është grumbullim. Është vlerësim. Kur një studiues zgjedh krijime nga një autor, ai ndërton një portret të atij autori. Përzgjedhja bëhet një formë interpretimi. Në këtë kuptim, antologjisti bëhet edhe kritik. Ai zgjedh atë që e çmon më përfaqësuese, më të qëndrueshme dhe më të arrirë estetikisht.
Antologjitë e Berishës lidhen drejtpërdrejt me kriterin që shfaqet në gjithë veprimtarinë e tij: kërkimin e vlerës artistike.
7. Përkthimi si urë ndërmjet kulturave
Një tjetër veprimtari e rëndësishme është përkthimi letrar. Ndër veprat që veçohen është “Epi i Gilgameshit”, një nga krijimet më të hershme të letërsisë botërore. Sjellja e kësaj vepre në shqip është më shumë se një akt gjuhësor. Përkthimi bëhet ndërmjetësim kulturor. Një tekst i lindur mijëra vjet më parë, në një hapësirë krejt tjetër qytetëruese, hyn në komunikim me lexuesin shqiptar. Kjo përputhet natyrshëm me gjithë profilin e Anton Nikë Berishës: interesimi për marrëdhëniet ndërmjet kulturave, për vazhdimësinë e artit të fjalës dhe për veprat që i mbijetojnë kohës. Kjo vërehet edhe me përkthimin e Pslameve të Besëlidhjes së Vjetër.
8. Nëna Tereze: nga studimi te përsiatja shpirtërore
Një kapitull i veçantë i veprimtarisë së tij lidhet me Nënën Tereze. Ai i është kushtuar kësaj figure jo vetëm në planin artistik, por edhe në atë studimor.
Ndër librat përmenden “Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze”, “Nëna Tereze: jeta është vetë jeta e Zotit në ne” dhe “Testamenti shpirtëror i Nënës Tereze”, “Doracakë për Nënën Tereze” etj.
Në këto studime, interesi zhvendoset drejt besimit, lutjes, dashurisë, flijimit dhe përvojës së brendshme shpirtërore.
Mirëpo, edhe këtu është i pranishëm interpretuesi. Berisha nuk mjaftohet me faktet biografike. Ai kërkon kuptimin e përvojës së Nënës Tereze, tundimet e saj shpirtërore, marrëdhëniet me Hyjin dhe mënyrën se si dashuria shndërrohet në veprim.
Interesimi për Nënën Tereze kalon edhe në krijimtarinë artistike, te romani “Nëna e Dritës”, “Ëndrra e erës“ etj.
Kjo është një nga pikat ku fjala studimore dhe fjala artistike takohen drejtpërdrejt.
9. Krijimtaria për fëmijë
Profili krijues i Anton Nikë Berishës do të ishte i paplotë pa letërsinë për fëmijë.
Ndër veprat e hershme të kësaj fushe janë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” dhe “Pilivesa e flakëruar”, ndërsa në prozë për fëmijë veçohen “Motra kërkon vëllezërit” dhe “E Bukura e Dheut”, “Kush dëgjoftë e mos tregoftë… (Gruaja e Kacabashit)” dhe romani më i ri “Martesa e gjarprit me Vajzën e mbretit” (2026).
Në këtë krijimtari ndihet lidhja me letërsinë gojore. Përralla, legjenda, fantastikja dhe gojëdhëna bëhen materiale të natyrshme të rrëfimit.
Ky pocedim artistik nuk është rastësi. Studiuesi i letërsisë gojore dhe shkrimtari për fëmijë janë i njëjti autor. Njohja e thellë e strukturave të përrallës dhe e botës imagjinative popullore reflektohet edhe në krijimtarinë e tij artistike të shkruar.
10. Romani dhe historia si fat njerëzor
Një nga shtyllat më të rëndësishme të krijimtarisë artistike të Anton Nikë Berishës është romani. “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar”, “Nëna e Dritës”, “Ferri i lodhur”, “Ëndrra e erës“ dhe “Frymëmarrje nate” krijojnë një cikël ku historia, identiteti dhe përvoja njerëzore lidhen fort me njëra-tjetrën.
“Bimorja” lidhet me figurën e Pjetër Bogdanit dhe me një periudhë dramatike të historisë shqiptare. “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar” hyn në botën arbëreshe dhe në dramën e ruajtjes së identitetit. “Nëna e Dritës” dhe “Ëndrra e erës“ ndërtojnë një portret shumëplanësh të Nënës Tereze. “Ferri i lodhur” trajton përvojën e luftës së fundit në Kosovë dhe pasojat e saj në jetën njerëzore.
Në të gjitha këto romane, historia ushtron trysni mbi individin. Personazhet vendosen në situata të skajshme: luftë, humbje, shpërngulje, vuajtje, besim, dilemë dhe vdekje. Pikërisht në këto situata shfaqet çështja e madhe e prozës së Berishës: çfarë mbetet nga njeriu kur historia përpiqet t’ia rrënojë gjithçka?
Një nga përgjigjet është identiteti. Një tjetër është kujtesa. Dhe një tjetër është shpirti.
Romanet e Anton Nikë Berishës nuk dallohen vetëm për dukuritë që trajtohen. Një veçori e rëndësishme është gjuha. Proza e tij ka shtresë të fortë poetike. Figura, metafora, ritmi dhe simboli ndërhyjnë vazhdimisht në rrëfim. Te “Nëna e Dritës”, dita dhe nata, drita dhe terri, trupi dhe shpirti marrin kuptime të shumta. Drita shkon përtej dukurisë fizike dhe bëhet shenjë e besimit, shpresës, vegimit dhe hyjnores. Te “Ferri i lodhur”, shtëpia e djegur dhe toka e shkretuar bëhen jo vetëm pamje të luftës, por edhe shenja të traumës dhe kujtesës kolektive. Në këtë mënyrë, poezia hyn brenda prozës. Berisha nuk e ndan mekanikisht ligjërimin poetik nga ai narrativ. Përkundrazi, ai e përdor poetiken për ta thelluar realitetin. Realiteti i jashtëm kthehet në realitet të brendshëm, realitet i fjalëve dhe i shprehjeve poetike. Historia bëhet përjetim. Ngjarja bëhet simbol. Kujtesa bëhet strukturë narrative.
11. Studiuesi dhe shkrimtari si dy anë të së njëjtës përvojë
Një nga çështjet më interesante në profilin krijues të Anton Nikë Berishës është marrëdhënia ndërmjet studiuesit dhe shkrimtarit.
A ndikon studiuesi te shkrimtari?
Padyshim.
Njohja e teorisë së letërsisë, e poetikës, e strukturës së tekstit dhe e traditës gojore reflektohet edhe në mënyrën se si ai e ndërton romanin.
Mirëpo, ndikimi është edhe në drejtimin tjetër. Shkrimtari e ndihmon studiuesin. Ndjeshmëria artistike i mundëson kritikut të mos e shohë tekstin vetëm si objekt analize, por edhe si përvojë estetike. Kësisoj, kritika e tij shkon tutje një terminologjie letrare-studimore. Ajo kërkon ta ndiejë veprën. Ky është një nga shpjegimet pse interpretimi bëhet kaq qendror në punën e tij.
12. Dhjetë vëllimet si sintezë e mendimit studimor
Një dëshmi e rëndësishme e këtij dimensioni është kompleti prej dhjetë vëllimesh “Studime letrare (të zgjedhura)”. Ky komplet mbledh dhe sistemon një punë studimore të zhvilluar për dekada. Në të përfshihen çështje të teorisë dhe estetikës, letërsia gojore, letërsia e hershme shqiptare, autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe, letërsia arbëreshe, letërsia për fëmijë dhe interpretime të kryeveprave botërore. Rëndësia e tij nuk qëndron vetëm në sasinë e materialit. Ajo që ka rëndësi është sistematizimi. Punime të shkruara në periudha të ndryshme vendosen në një strukturë që lejon të shihet zhvillimi i mendimit të autorit. Nga teoria kalohet te interpretimi. Nga historia te estetika. Nga letërsia shqiptare te ajo botërore. Nga krijimtaria gojore te teksti letrar modern.
Kështu, kompleti shndërrohet në një lloj harte të punës studimore të Anton Nikë Berishës.
Nëse gjithë këtë veprimtari do ta përmblidhnim me një nocion, ai do të ishte: shumësia.
Shumësi zhanresh. Shumësi fushash. Shumësi metodash. Shumësi autorësh. Shumësi kulturash. Mirëpo, kjo shumësi nuk është shpërndarje pa një qendër. Të gjitha degët lidhen me disa rrënjë të përbashkëta: artin e fjalës, identitetin, kujtesën, traditën, vlerën estetike dhe interpretimin. Kështu, romani lidhet me historinë. Historia lidhet me kujtesën. Kujtesa lidhet me letërsinë gojore. Letërsia gojore lidhet me arbëreshët.
Bota arbëreshe lidhet me identitetin. Interpretimi lidhet me të gjitha.
13. Një profil që ndërtohet përtej një zhanri
Në këtë kuptim, Anton Nikë Berisha nuk mund të paraqitet vetëm si romancier. As vetëm si kritik. As vetëm si folklorist. As vetëm si studiues i letërsisë arbëreshe. Profili i tij krijues ndërtohet pikërisht në pikën ku këto fusha takohen.
Krijimtaria artistike i jep një përmasë tjetër studimit. Studimi i jep një vetëdije tjetër krijimtarisë. Folklori i jep rrënjë. Bota arbëreshe i jep vazhdimësi. Përkthimi i hap dritare drejt kulturave të tjera. Antologjitë sistemojnë vlerën. Interpretimi e mban të hapur dialogun me veprën. Pra, universi letrar dhe studimor i Anton Nikë Berishës mund të kuptohet si një arkitekturë e ndërtuar me fjalë.
Brenda saj ka histori dhe kujtesë, tekst dhe interpretim, traditë dhe modernitet, botë shqiptare dhe botë arbëreshe, art kombëtar dhe letërsi botërore.
Mbi të gjitha ka një bindje që duket se e përshkon tërë veprimtarinë e tij: vepra e mirëfilltë nuk i përket vetëm kohës kur është shkruar. Ajo vazhdon të jetojë për sa kohë arrin të komunikojë. Për sa kohë të rilexohet. Për sa kohë të interpretohet. Dhe për sa kohë në të zbulohet një kuptim i ri.
Pikërisht këtu qëndron edhe profili krijues i Anton Nikë Berishës: në ndërtimin e një universi ku fjala është njëkohësisht art, dije, kujtesë dhe identitet; një univers ku shumëllojshmëria e veprës nuk e humb unitetin, sepse çdo degë kthehet në të njëjtin trung, te kërkimi i së bukurës dhe te fjala që i mbijeton kohës.




