Aktori, producenti dhe veprimtari kulturor Ridvan Murati është shpallur fitues i çmimit “Community Hero Award 2026”, në kuadër të Swissalbs Award Gala Night 2026, që po mbahet në Kongresshaus Zürich.
Çmimi i është ndarë Muratit për kontributin e tij ndër vite në art, kulturë dhe jetën e komunitetit shqiptar në Zvicër, si dhe për angazhimin në krijimin e urave mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë zvicerane.
Ridvan Murati është aktiv në fushën e aktrimit, produksionit dhe aktiviteteve kulturore që nga viti 2000. Që nga viti 2008 ai jeton dhe vepron në Zvicër, ku ka qenë pjesë e projekteve të ndryshme teatrore, televizive dhe filmike në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Zvicër.
Në kinematografinë zvicerane, një nga angazhimet e tij të fundit është filmi “Heldin”, ku Murati interpreton rolin e Herr Osmanit. Filmi pati premierën botërore në Berlinale 2025 dhe u përzgjodh nga Zvicra si kandidat për kategorinë e filmit ndërkombëtar në Academy Awards.
Me këtë çmim, Swissalbs ka vlerësuar punën dhe angazhimin shumëvjeçar të Ridvan Muratit në art, kulturë dhe komunitet./KultPlus.com




