
Shkruan: Enver Sadiku
Dikur shquhej si stadiumi me fushën më të mirë në Kosovë, megjithëse nuk kishte ulëse për shikues, por vetëm disa shkallë betoni. Ky ambient, kur luhej derbi vendor në mes të Dritës dhe Gjilanit diti t’i mbledh edhe deri në 10 mijë shikues, por qyteti po rritej e kërkohej stadium modern, andaj u vendos që stadiumi të rindërtohej.
I ndërtuar në vitin 1967, kohë kur në Gjilan u mbajtën Lojërat Sportive të Shkollarëve të Mesëm, ky stadium përmbushte nevojat e qytetit në gjirin e të cilëve funksionin shumë klube, mirëpo ishte edhe stadiumi ndihmës në të cilin luanin ekipet e rangjeve më të vogla dhe kategoritë e reja.
Në vitet 90-ta, me gjithë ankesat e sportistëve gjilanas, nga pushteti okupues i atëhershëm, stadiumi ndihmës u hoq nga faqja e dheut, kohë kur futbollistët shqiptarë veç se ishin përzënë.
Me ardhjen e lirisë e kthimin në Stadiumin e Qytetit, futbolli sidomos në Gjilan u masivizua dhe stadiumi aktual tashti ishte i vogël për t’i zënë të gjithë shikuesit, kurse si i tillë ai nuk i plotësonte kushtet për gara ndërkombëtare.

Stadiumi dikur, i mbushur përplot
Ndonëse me nguti dhe pa gjetur zgjidhje alternative, u vendos që pamja e stadiumit të ndryshonte tërësisht, megjithëse pati zëra që kërkonin që të mos ketë nguti, por që stadiumi të bëhej modern dhe të mbulohej nga të gjitha anët, sikurse që edhe të plotësonte kriteret arkitekturore për nga pamja.
Por, çfarë ndodhi prej atëherë?!
Ndërkohë që tribunat po rrënoheshin, futbolli vazhdonte të luhej, kishte ngelur vetëm shtëpia-zhveshtore dhe dhomat përcjellëse të saj. U rrënua edhe ajo dhe u improvizuan zhveshtore nën tribunat në ndërtim, erdhi pandemia covid-19 e pas fillimit të ndërtimit të sheshit mbi lum, vërshimet e ujit përfunduan zhveshtoret e FC Drita dhe SC Gjilani dhe më nuk kishte vend për të luajtur aty. U desh një improvizim tjetër – fusha me bari sintetik, ku prej atëherë, duke u arnuar kjo fushë, sa me një zhveshtore të re e me tjetrën, një objekt përcjellës, ndërrim të barit sintetik e së fundi edhe me vendosjen e reflektorëve, ndeshjet po bëhet gati një dekadë që po zhvillohen aty.

Derbi në stadiumin me bari sintetik
Po çfarë ndodhi me stadiumin e ri në ndërtim
Afatet për lëshimin e tij vazhdimisht po shtyhen, u mbajtën shumë fushata e premtime se këtë vit apo tjetrin do të lëshohet në përdorim, se do të duket kështu apo ashtu, por një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore sportive në qytet nuk është as gati për t’u lëshuar në përdorim.
Projekti i renovimit dhe rindërtimit ka kaluar nëpër vështirësi dhe vonesa të shumta. Punimet e fazës së mëparshme u ndërprenë në vitin 2022, ndërsa më pas u zhvilluan procedura të reja për projektin dhe kontraktimin e punëve. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2026, projekti i renovimit të Stadiumit të Qytetit në Gjilan vazhdon të jetë pjesë e Programit të Investimeve Publike, me periudhë të planifikuar deri në nëntor 2027.
Për qytetarët e Gjilanit, përfundimi i stadiumit do të nënkuptonte krijimin e një infrastrukture më moderne për futbollin dhe një hapësire më të përshtatshme për klubet, sportistët dhe tifozët. Stadiumi pritet të zhvillohet në përputhje me kërkesat moderne të infrastrukturës sportive dhe standardet përkatëse të futbollit evropian, por pamjet në stadium dhe ritmi i punëve që po zhvillohen lë mëdyshje se stadiumi do të përfundojë në afatin e paraparë.
Ndërkohë që edhe sivjet dy klubet nga Gjilani synim e kanë daljen në Evropë, mospasja e një stadiumi funksional në Gjilan sjell disa vështirësi të drejtpërdrejta për qytetin, klubet dhe sportistët. Me një stadium të vetin, ekipet gjilanase, tifozëritë e flakta e qytetarët nuk do të duhej të udhëtonin me kilometra të tëra për një ndeshje ndërkombëtare, por ato do t’i përcillnin në fushën e vet e me vete do të merrnin edhe familjarët edhe atë në një stadium me ndriçim, ambiente për lojtarët, media dhe shërbime të tjera që janë të nevojshme për ndeshje të nivelit të lartë.
Mospasja e stadiumit ka dëmtuar rëndë edhe atmosferën e mirëfilltë sportive, aq më tepër që qyteti i Gjilanit ka një kulturë të fortë të futbollit dhe dy klube me rivalitet të madh. Mungesa e stadiumit e largon një pjesë të përvojës tradicionale të tifozëve dhe e privon qytetin nga organizimi i ndeshjeve në një arenë të përshtatshme. Një gjendje e tillë shkakton edhe humbjen e mundësive për zhvillimin e futbollistëve të rinj, ngase stadiumi modern mund të shërbejë si pikë qendrore për aktivitete sportive, turne dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Pos në aspektin sportiv, mosfunksionimi i Stadiumit të Qytetit ka dëmtuar shumë qytetin e Gjilanit edhe në aspektin ekonomik, ngase ndeshjet e rëndësishme, e sidomos ato ndërkombëtare dhe me ekipe të mëdha sjellin tifozë, vizitorë dhe aktivitet për bizneset përreth stadiumit. Një stadium që tash e një dekadë nuk po ndërtohet kufizon këto përfitime.
Koha po ecën, punimet e reja në Stadiumin e Qytetit nisën në maj 2025, me projekt me vlerë rreth 12.8 milionë euro dhe kapacitet të planifikuar prej 8,750 ulësesh, por me këtë ritëm të punëve a do të arrihet që stadiumi të përfundojë në afatin e paraparë apo do të dalë ndonjë arsyetim tjetër.
Se deri ku kanë mbërri punimet, më së miri mund të shihet nga fotot e bëra nga ndërtesa skaj stadiumit, e cila ndonëse kishte nisur shumë më vonë se stadiumi, tashti ka pranuar banorët e vet. Po kur do të kthehen futbollistët e tifozët në Stadiumin e Qytetit, askush nuk mund të thotë me saktësi e afati po rrjedh…
/kryelajmi.com/.

Stadiumi i qytetit sot. Foto Islam Zuzaku


