OPINION

MIRË SE VINI NË ÇEREKUN E DYTË TË SHEKULLIT XXI

Shkruan: Arben Zeqiri
Vlerat që dikur mbanin gjallë familjen dhe shoqërinë po zbehen: respekti, dashuria, mirësia, besa, modestia dhe, mbi të gjitha, humanizmi.
Dikur libri ishte shok, romani ishte udhëtim dhe fjala e mirë ishte pasuri. Sot, për shumëkënd, më shumë peshë kanë shfaqja, interesi, gënjeshtra dhe hipokrizia.
Dikur njeriu gjykohej për karakterin që kishte, sot shpesh gjykohet për atë që duket se ka. Dhe më e dhimbshmja është se po mësohemi me këtë realitet sikur të ishte normal.
Nuk është normal. Dhe nuk duhet ta pranojmë si të tillë.
Sepse një shoqëri mund të ketë zhvillim, teknologji, diploma dhe zhurmë, por të mbetet e varfër pikërisht në atë që ka më shumë rëndësi: NË NJERËZ.
Këtu fillon përgjegjësia jonë si mësues, profesorë dhe pedagogë.
Përpara se të kemi përballë një nxënës që duhet të marrë një 5-she në ditar apo një student që duhet të marrë një 10-she në indeks, kemi përballë një njeri, një qytetar të ardhshëm, një prind të ardhshëm, një profesionist të ardhshëm që nesër do të ndikojë në jetën e të tjerëve.
Prandaj duhet të pyesim veten:
Çfarë po formojmë me arsimin tonë?
Vetëm nxënës me nota të larta, studentë me diploma dhe profesionistë të aftë? Apo po formojmë edhe NJERËZ ME HUMANIZËM?
Çfarë vlere ka një mjek pa mëshirë, një jurist pa drejtësi, një profesor pa respekt apo një profesionist pa ndërgjegje?
Dija pa humanizëm mund të krijojë profesionistë të zotë.
Por humanizmi mbi të cilin ndërtohet dija krijon njerëz që vlejnë.
Le t’u mësojmë fëmijëve matematikën, gjuhën shqipe e gjuhët e huaja, historinë, shkencën, artet, sportin dhe profesionin. Por le t’u mësojmë edhe si të jenë njerëz: të respektojnë, të ndihmojnë, të mos shfrytëzojnë, të kërkojnë falje, të thonë faleminderit, të humbin me dinjitet dhe të fitojnë pa humbur modestinë.
Pse?… Sepse nota shkruhet në ditar, diploma vendoset në mur, por karakteri nuk shpallet askund, ai shihet.
Shihet në mënyrën si sillesh me të dobëtin, me atë prej të cilit nuk ke asgjë për të përfituar dhe në ato çaste kur askush nuk të sheh.
Prandaj duhet të shqetësohemi më pak për pesat dhe dhjetat, dhe më shumë për njeriun që fshihet pas tyre.
Qëllimi ynë nuk duhet të jetë vetëm të nxjerrim profesionistë të mirë, por NJERËZ TË MIRË: me karakter, ndërgjegje, respekt, përgjegjësi dhe HUMANIZËM.
Për arsye se një profesionist i mirë ndërton një karrierë, ndërsa një njeri me humanizëm mund të ndërtojë një shoqëri.
Suksesi më i madh që mund t’i japim një fëmije nuk është vetëm t’i mësojmë si të fitojë jetën, por edhe si të mos e humbë njerëzoren brenda vetes.
Në fund, nuk do të kujtohemi vetëm për notat, diplomat apo titujt, por për çfarë njerëzish kemi formuar.
Shkolla nuk duhet të prodhojë vetëm profesionistë.
SHKOLLA DUHET TË FORMËSOJË NJERËZ, DHE MBI TË GJITHA, NJERËZ ME HUMANIZËM.
Mirësevini në çerekun e dytë të shekullit XXI, ku kemi më shumë dije se kurrë, por ende kemi nevojë të mësojmë:
SI TË JEMI NJERËZ TË MIRË.

You Might Also Like