Tre libra me autorë nga Gjilani pasurojnë fondin bibliotekar të Albanian American Cultural Center në Texas të SHBA-ve.
Falë mërgimtarit tonë Lul Hoxha, i cili tash e sa vite punon dhe vepron në Houston, Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane ka pranuar tri botimet më të reja të autorëve gjilanas, që janë libra me rëndësi të veçantë nga historiografia jonë kombëtare.

Kështu, pjesë e kësaj qendre është libri i autorit dr. Fitim Rifati – “Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore (1914 – 1918), pastaj libri i Lul Hoxhës – “Qrrishta – Cërnica nga antikiteti e deri në shekullin XX” dhe libri i dr. Enver Sadikut “Derbi Drita – Gjilani (1995 – 2025)”.
Në Houston – Shtetet e Bashkuara të Amerikës komuniteti shqiptar është shumë i organizuar, ngase në Albanian American Cultural Center në Texas frekuentojnë shqiptarë nga të gjitha trevat kombëtare, derisa fondi bibliotekar është shumë i pasur me botime të ndryshme.
Ditë më parë në Gjilan është luajtur edhe një ndeshje vëllazërore në mes të veteranëve të Gjilanit dhe të veteranëve shqiptarë të futbollit nga qyteti Detroit në SHBA, duke dëshmuar se lidhjet në mes shqiptarëve këtej dhe andej Atlantikut janë të forta.
Autori Enver Sadiku, librin me tematikë nga derbi në mes dy ekipeve nga Gjilani, Drita dhe Gjilani ua ka dhuruar edhe veteranëve shqiptarë të futbollit nga Detroiti. /kryelajmi.com/.






