OPINION

Kosova tashmë e ka Presidenten e saj të re

Kosova tashmë e ka Presidenten e saj të re
Faton Bislimi
Së pari, dua t’i uroj nga zemra znj. Justina Shiroka-Pula detyrën e re dhe t’i dëshiroj shëndet, urtësi dhe suksese në ushtrimin e përgjegjësisë së saj të lartë kushtetuese. Presidenca është mbi çdo individ dhe mbi çdo parti; ajo është institucioni që duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit dhe dinjitetin e Republikës.
Procesi që na solli deri këtu ishte i vështirë dhe i zgjatur.
Dua të shpreh edhe një herë mirënjohjen time të përjetshme për dy burra që për mua përfaqësojnë një pjesë të lavdishme të historisë së marrëdhënies së Kosovës me Amerikën: Ambasadorin William Walker dhe Kongresistin Joe DioGuardi. Po ashtu, falëmnderim i sinqertë edhe për të gjithë të tjerët nga anembanë vendit dhe diasporës për çdo fjalë të mirë e çdo përkrahje.
Propozimi dhe besimi i tyre publik ndaj meje do të mbeten përjetë një testament politik dhe njerëzor që e çmoj mbi çdo funksion, mandat apo post.
Ata janë njerëz që e kanë mbështetur Kosovën në ditët kur kjo mbështetje kishte kosto, kur liria dhe pavarësia jonë nuk ishin ende realitet. Prandaj, besimi i tyre ndaj meje nuk është thjesht një mbështetje për një kandidaturë; për mua është një nder i jashtëzakonshëm që do ta mbaj me vete gjatë gjithë jetës.
Por dua ta them sot shumë qartë: Angazhimi im për Kosovën nuk ka filluar për ndonjë post, dhe nuk përfundon me të.
Nuk kam punuar për Kosovën për ndonjë pozitë. Kam punuar për Kosovën sepse e kam ndier si detyrim të jetës sime.
Kam punuar në Washington për më shumë se dy dekada, kam ndërtuar marrëdhënie me njerëz në të dyja anët e spektrit politik amerikan, kam mbrojtur interesat e Kosovës në kohë të mira e të vështira dhe kam dhënë gjithçka që kam mundur, pa e ditur nëse një ditë do të më kërkohej apo jo ndonjë detyrë shtetërore.
Kjo nuk ndryshon sot. Përkundrazi!
Ndoshta tani është koha që të gjithë të reflektojmë më thellë se çfarë lloj politike i duhet Kosovës.
Një politikë ku interesi i shtetit është mbi kalkulimin e radhës. Një politikë ku fjala e dhënë ka peshë. Një politikë ku kontributi për vendin nuk matet me përkatësinë partiake. Një politikë ku Kosova nuk përdoret si mjet për pushtet, por pushteti përdoret si mjet për Kosovën.
Vlerësoj se në një moment kaq të rëndësishëm, kalkulimet e ngushta politike dhe lojërat e minutave të fundit nuk duhet zënë vendin e vizionit afatgjatë dhe mirënjohjes ndaj kontributit të njerëzve që kanë punuar për Kosovën për dekada.
Megjithatë, unë zgjedh të shikoj përpara. Kosova ka qenë gjithmonë e para për mua. Dhe Kosova do të mbetet e para.
Do të vazhdoj të punoj për Kosovën, për forcimin e lidhjes sonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, për vlerat e Luftës Çlirimtare, për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe për një Kosovë të fortë, demokratike dhe euroatlantike.
Ndoshta koha që vjen do të kërkojë forma të tjera të angazhimit. Ndoshta Kosovës i duhet një frymë e re politike. Ndoshta ka ardhur koha që, përtej ndarjeve tradicionale, të ndërtojmë një alternativë që nuk pyet së pari se cilës parti i shërben Kosova, por pyet: Çfarë i shërben Kosovës?
Unë do të vazhdoj të jem aty. Jo për një post, titull, apo karrige. Por për Kosovën.
Sepse për mua, Kosova nuk ka qenë kurrë një mundësi për karrierë. Ka qenë mision!
Dhe misionet e jetës nuk përfundojnë me një angazhim!

You Might Also Like