Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”, organizoi një vizitë me të rinjtë në institucionet publike dhe bizneset lokale të Komunës së Kamenicës.
Qëllimi i organizimit të kësaj vizite ishte njohja e të rinjve nga afër me funksionimin dhe veprimtarinë e institucioneve publike dhe bizneseve lokale, si dhe informimi i tyre mbi mundësitë për zhvillim profesional, punësim dhe ndërmarrësi. Gjithashtu, vizita kishte për qëllim nxitjen e interesimit të të rinjve për përfshirje aktive në zhvillimin socio-ekonomik të komunës, identifikimin e mundësive për të ardhmen dhe krijimin e një lidhjeje më të ngushtë ndërmjet të rinjve, institucioneve dhe sektorit privat.
Gjatë vizitës, të rinjtë u pritën nga Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, z. Edon Dërmaku, i cili i informoi ata për potencialet dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të Komunës së Kamenicës, rëndësinë e promovimit të turizmit lokal, si dhe mundësitë për përfshirjen e të rinjve në iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e komunës.
Me këtë rast, drejtori u prezantoi të rinjve informacione dhe materiale promovuese për pasuritë natyrore dhe kulturore të Kamenicës, duke u dhuruar broshura dhe fletëpalosje që përmbajnë informacione për ecjet në shtigjet e komunës, atraksionet natyrore, objektet e trashëgimisë kulturore dhe aktivitetet kulturore që kontribuojnë në promovimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik të komunës.
Përveç vizitës në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, të rinjtë vizituan edhe drejtoritë e tjera komunale, si dhe disa biznese lokale në Komunën e Kamenicës. Gjatë këtyre vizitave, ata patën mundësinë të njihen më nga afër me punën dhe funksionimin e institucioneve publike, veprimtarinë e bizneseve lokale, si dhe mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen ato.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal




