LAJME

Haziri e Kiliç krenar me punën dhe suksesin e shkollës “Nazim Hikmet” në Dobërçan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ambasadorja e Turqisë në Republikën e Kosovës, Kivilcim Kiliç, kanë vizituar shkollën “Nazim Hikmet”, në fshatin Dobërçan, në të cilën mësojnë edhe nxënës të komunitetit turk dhe të gjithë bashkërisht kanë shënuar suksese në fusha të ndryshme në nivel të Komunës por edhe të Republikës.

Kryetari Haziri ka thënë se përkujdesja e prezencës turke në Kosovë e veçanërisht në Gjilan është në shumë fusha, duke filluar nga siguria me prezencën e KFOR-it turk, pastaj me përkujdesjen diplomatike nga ana e ambasadores dhe me mbështetje në programe të ndryshme nga ana e TIK-ës në bujqësi, në arsim dhe fusha të tjera.

“Në tri shkallët e prezencës ne e falënderojmë për korrektësinë dhe bashkëpunimin që kanë me institucionet në nivelin lokal. Komuna e Gjilanit kësaj shkolle do t’i qëndroj afër së bashku edhe me ambasadën e Turqisë dhe me donatorët, në shenjë mbështetje për bashkëpunimin që kanë treguar nxënësit e kësaj shkolle mes vete dhe për sukseset që i kanë sjellë Gjilanit”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Kurse ambasadorja Kivilcim Kiliç, ka falënderuar komunitetin që jeton në këtë fshat, nxënësit, stafin e shkollës dhe Komunën e Gjilanit për shembullin e mirë të tolerancës në përgjithësi që janë duke e dëshmuar në këtë lokalitet dhe në institucionin arsimor të kësaj shkolle.

“Jam e lumtur që shoh suksese të prekshme të nxënësve dhe shkollës në përgjithësi. Në Gjilan shihet qartë përkushtimi institucional që është ndaj komuniteteve në përgjithësi, por edhe në fshatin Dobërçan me komunitetin turk poashtu. Kemi vizituar klasat e nxënësve me komunitetin turk dhe shqiptarë, pamë një shkollë aktive në të gjitha fushat dhe ndjehem krenare normalisht”, ka thënë ajo mes tjerash.

You Might Also Like