IZMI ZEKA
Historia shqiptare është sa e dhimbshme, po aq është edhe krenare! Në gjithë shekujt e saj, për shqiptarët, muaji i acartë i janarit, është zakonisht muaj i ngricave, por edhe i dhimbjeve të mëdha.
Në këtë muaj u ringjallën shpresat për liri gjatë gjithë historisë sonë kombëtare. Që nga vdekja e Gjergj Katriotit, Isa Boletinit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gervallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhes, Hakif Zejnullahut, Reshat Ymerit, e në fund i masakrës makabre të Reqakut që përmbylli dhimbshëm historinë e përpjekjeve për liri.
Liria nuk është abstrakte, as edhe art universal. Ajo është e prekshme, e dizajnuar mbi gjakun dhe rrjedhat historike. Në veçanti, copëzat historike kanë krijuar tërësinë e veprimeve kombëtare, dhe si të tilla, kanë vazhduar ndërtimin e bazamentit paraprijës dhe qëndrueshmërinë e luftës për liri!
Populli shqiptar asnjëherë nuk u ndal në përpjekjet e tij për të realizuar të drejtat e tij! I madhi Skenderbe luftoi plot 25 vite me perandorinë më të madhe të asaj kohe dhe i bëri ballë me heroizëm barbarisë otomane duke i dhënë shembull gjithë Evropës se pushtimi i saj mund të pengohet!
Por jo vetëm kaq, Gjergj Kastrioti me luftën e tij titanike i dha shembuj brezave me radhë sesi mund të luftohet edhe kundër fuqive shumëfish më të mëdha! Vdekja e tij në janarin e vitit 1468 goditi rënd shpresën e lirisë, por njëkohësisht mbajti gjallë me shekuj frymën e rezistencës! Po kështu në janar të vitit 1982, u vranë tre nga nismëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës!
Dora vrastare e UDB-së jugosllave ndërpreu veprimtarinë e tyre por jo edhe rrugën tonë për liri e pavarësi nga sundimi i gjatë jugosllavë ! Vrasja e tyre pati jehonë edhe në shtypin Gjerman ku gazeta prestigjioze “Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Mbase ishte e qarte pse ishte bërë atentati. Në një intervist heroi I kombit Jusuf Gërvalla theksonte “Lufta ka disa faza”. Fillimisht kemi të bëjmë me njohjen e historisë dhe me njohjen e së vërtetës. Hapi tjetër është që këto njohuri t’i përhapim në popull. Kjo është faza e iluminizmit përmes trakteve, gazetave, parullave e në mënyra të tjera. Në fazën e dytë shumëçka varet nga relacionet në botë, në Evropë dhe në vend. Faza e dytë përmban luftën e armatosur. Siç duket kalimi në të po përshpejtohet për shkak të terrorit të sforcuar jugosllav mbi popullin shqiptar, por në këtë moment ende nuk jemi të përgatitur për këtë.
Jusufi e kishte të qartë se lufta ishte zgjidhja e problemit por për të duhej përgatitur dhe pritur rrethanat që të jenë në favor të lëvizjes për çlirim. Në një shkrim me rastin e 60 vjetorit të lindjes së Kadri Zekës bashkëmendimtari I tij Mehmet Hajrizi shkruan: ”Kadri Zeka përfaqësonte shpirtin luftarak e kryengritës të shqiptarit, thellësinë e mendimit intelektual, fuqinë e fjalës së oratorit propagandist të ideve të lirisë, demaskuesin e pamëshirë të regjimit pushtues dhe ndriçuesin e shtigjeve drejt ditëve të bardha”.Në këtë kuptim, jeta dhe vepra e Kadriut nuk paraqesin thjeshtë vetëm vlerë historike e muzeale, por edhe burim të pashtershëm frymëzimi e edukimi për brezat e pambarim të shqiptarëve”
II
Në janar te vitit 1984 Rexhep Mala e Nuhi Berisha treguan se ndjenjat e sakrificës tek populli ynë nuk ishin shuar ! Ata ranë të pamposhtur përballë bishave jugosllave dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës ! Vrasjen e dy vazhduesve të denjë të Jusufit, Kadriut dhe Bardhit aq me pedanteri e përshkruan Sami Krasniqi ku shkruan: ”Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ishin të lirë edhe në natën e 12 janarit. Ata edhe atë nate, nuk bartnin me vete asnjë dokument identifikimi . Edhe atë natë, në rrugën „Llapi“, pranë hekurudhës, aty në „Kodrën e Trimave, Nuhi Berisha në vend të lejes se njoftimit me vete, pranë zemrës në bluzë, kishte një flamur kuq e zi. Ata, ishin të tillë, të lirë, sepse asnjëherë, nuk e pranuan robërinë. Prandaj, ata edhe u vranë, se armiku nuk do që robi të jetë i lirë”.
III
Në janar të vitit 1997 në një pritë te madhe u vranë atentatorët e lavdishëm të UCK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahau ! Luftën e tyre e vazhduan qindra djem e vajza, ku një pjesë e të cilëve ranë për të mos vdekur kurrë në altarin e lirisë!
Në këtë komperacion akti i këtyre tre dëshmorëve përshkruhet nga Ramadan S. Latifaj “Edhe këta tre dëshmorë, me qëndresën e tyre heroike që bënë ditën kritike, në përballje me qindra e qindra efektiva represive të pushtuesit barbar serbo-çetnik, të cilët ishin të armatosur gjer në dhëmb, me mitralozë, snajperë, autoblinda e helikopterë, trasuan itinerarin që duhet të ndjekin shqiptarët, drejt realizimit të plotë të aspiratave të tyre shekullore, për të jetuar të të lirë dhe me dinjitet në Adheun e tyre – Shqipërinë!”
IV
Përpjekja e gjatë e cila u kurorëzua me luftën e madhe të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës që përfshiu tërë Kosovën ishte vendimtare që amaneti i heronjve të janarit por edhe gjithë të tjerëve të kurorëzohej me sukses duke sjellë lirinë pas shume shekujsh robëri!
Edhe në këtë kohë lirie e pavarësie Janari duhet të jetë për ne muaji i frymëzimit për vepra konkrete në interes të shtetit tonë! Mobilizimi për ti dalë ballë problemeve të pazgjidhura dhe për ti forcuar institucionet tona shtetërore është detyrë e jona historike.
Të punojmë sa më shumë që shteti i krijuar pas kaq e kaq mundimeve e kaq e kaq sakrificave dhe gjakut të derdhur rrëke të kurorëzohen me përparime në të gjitha fushat e jetës sonë!
Ajo që fitohet kërkon edhe të ruhet. E për tu ruajtur duhet angazhim e syçeltësi. Kjo varet kryesisht, nëse jo krejtësisht nga ne! Lufta kundër të metave në qeverisjen e shtetit dhe bashkëpunimi i mirë me miqtë ndërkombëtarë janë garancia më e madhe e sigurisë sonë kombëtare!
V
Për fund po sjell një pjesë nga ditari i bashkudhëtares dhe bashkëmendimtares së Kadri Zekës në datën kritike të 17 janarit të vitit 1982 Saime Isufit.
Duke kujtuar atë natë të trishtuar Janari
17 janar 1982. Ora po afron 22. 00.
Kadriu akoma nuk është kthyer; nuk po kthehet.
Pse po vonohet?!…
Plaku fillon të shqetësohet. ( Plaku është Hasan Mala)
Fillon të shëtisë nëpër dhomë me duar në xhepa dhe nga shqetësimi i dalin fjalët:
– « Sot kështu e nesër nuk e dimë se si… »
Dhe nuk i tha vetëm njëherë këto fjalë, por disa herë.
Ai po parandjente kobin që në këto çaste po ndodhte larg nesh; në Gjermani, në Untergrupenbach. (Që u shoftë nga harta ky emër, që më shkaktoi dhimbjen më të madhe në jetë !)
S’vonon pak dhe bie telefoni.
– « Bule, jam unë Ibrahimi (*), është kthyer Zeqa?» ( Bulja është Saime Isufi)
– Jo, i them nuk është kthyer akoma.
Më thotë:
– «Do të kthehet, sepse sot ishim bashkë« dhe mbyll telefonin.
Qetësi…
Plaku vazhdon të ecë nëpër dhomë i shqetësuar, por nuk ipet;
nuk do të më shqetësojë.
Vazhdon të thotë:
– «Sot kështu e nesër nuk e dimë se si!» …
Prapë bie telefoni.
Prapë paraqitet Ibrahimi.
Pyet prapë nëse është kthyer Kadriu.
Unë i them prapë se nuk është kthyer.
Ai e dinte se çfarë kishte ndodhur, por nuk donte të më shqetësonte atë natë të trishtueshme.
Unë nuk duroj pa e pyetur se çfarë ka?!
Por ai nuk ma thotë lajmin e zi.
Kërkon numrin e Hasan Malajt. (Ai nuk e dinte se Hasan Malaj ishte me mua). Këtu dyshova se diçka paska ndodhur, pasi po këmbëngulte të merrte numrin e Plakut dhe sigurisht ta njftonte për gjëmën që kishte ndodhur, për atentatin e kryer.
E shqetësuar, por edhe e vendosur kërkova të ma thoshte atë që kishte ndodhur, sepse për të mirë nuk bëhej telefonatë aq vonë.
I thashë tekstualisht :
– «Më thuaj çfarë ka ndodhur, sepse edhe po të ketë ndodhur gjë, nuk kemi çfarë të bëjmë ».
Megjithë insistimin tim, ai nuk më tha gjë dhe unë nuk ia dhashë numrin e Hasanit. Atëherë i them Plakut të marrë në telefon tek vëllai i Ibrahimit në Gjermani, sepse telefonatat e Ibrahimit në këtë kohë janë të dyshimta dhe me gjasë ka ndodhur diçka.
Ngrihet Plaku, të marrë në telefon vëllain e Ibrahimit, por hutohet; nuk i punon dora, nuk i punon mendja të formojë numrin. Pas disa përpjekjesh dhe derisa erdhi pak në vete, mori në telefon Mustafën.
Sabrija, gruaja e Mustafës paraqitet në telefon.
Plaku e pyet:
– «çfarë ka ndodhur?»
Në atë heshtje dhe me veshët në krah, dëgjoj Sabrijen tek thotë në telefon:
– «Zeqa i vdekur, për ata dy nuk dimë… »
Unë nuk bërtita, nuk ulërita…
U rashë me duar gjunjëve që po më dridheshin dhe s’po i frenoja dot…
Plaku u përpoq të përmbahej para meje dhe duke menduar se nuk i dëgjova fjalët e Sabrijes, më tha :
– «Kadriu qenka sëmurë, duhet të shkojmë në Gjermani ».
Plak, – i thashë, unë i dëgjova fjalët që i tha Sabrija, por nuk kam çfarë të bëj. Ai duke u përpjekur ta zbuste situatën dhe shqetësimin tim, më thoshte se nuk tha ashtu siç thua ti; nuk e dëgjove mirë etj…
I kuptoja përpjekjet e tij për t’iu shmangur të vërtetës…
Filluan telefonatat duke vazhduar tërë natën.
Secili jepte versionin e tij, si dhe çfarë kishte dëgjuar.
Gjëma kishte ndodhur, por se deri në ç’shkallë kishte arritur të zgjerohej krimi, nuk e dinim dhe nuk e ditëm derisa arritëm në shtëpinë e vëllezërve Gërvalla…
Pa zbardhur dita e 18 janarit 1982, u nisëm drejt Gjermanisë me Plakun, Nexhmedinin, Shefketin dhe Qamilin. Nga trishtimi e shqetësimi rruga na u zgjat shumë.
U zgjat edhe për faktin se humbëm disa herë drejtimin për në cak.
Plaku duke mbajtur gjoksin nga trishtimi dhe duke ndjerë dhimbjen e madhe për shokun e idealit e të luftës, thoshte rrugës :
– «Ah Çekan, Çekan, çfarë shokësh ke, nuk janë në gjendje as të të gjejnë ku je?»
Nexhmedini në anën tjetër qante me dënesë …
Ngaqë e «tepruan» u thashë :
– «Mjaft më, doni të më çmendni?!»
Rrugës e trishtuar edhe pse dëgjova qartë Sabrijen kur tha se Zeqa i vdekur, për ata dy nuk dimë, prapë se prapë kisha shpresa se mund të ishte gjallë; se kishte nevojë për ndihmën time dhe nuk i ndodhesha pranë…
Mendoja pse nuk e mori me vete revolen kur i thashë, ta kishte me vete për çdo rast, (revolen të cilën na kishin dhuruar veprimtarët e Gjenevës në dasmën tonë, të mbajtur para dy javësh, më 2 janar 1982), por edhe ai më kishte thënë se nuk mund ta merrte, sepse mund të kontrollohej në kufi dhe t’i shkonte rruga huç…
E ku nuk më shkonte mendja…
Udhëtimi zgjati njëqind vjet…
Arritëm në shtëpinë e Gërvallajve.
Ishin mbledhur njerëz.
Suzana që në derë ma dha lajmin e zi në mënyrë aq direkte, sa s’do ta harroj kurrë:
– «Hajde nuse, hajde, që të tre të vdekur!»
Ishte goditje e rëndë, sepse nuk ishte vetëm Kadriu ai që kishte ndërruar jetë dhe do t’i mungonte veprimtarisë sonë, por ishin edhe dy veprimtarë të denjë të Kosovës dhe kështu Lëvizja pësoi humbje të madhe.
Ishte për të luajtur menç në ato çaste.
Kështu e përjetuan veprimtarët e tre dëshmorëve humbjen e tyre. Kështu e përjetova edhe unë, ani pse Kadriun e kisha edhe bashkëveprimtar por edhe shok jete…
Hymë brenda.
Suzana filloi të fliste, të tregonte se si pikërisht atë mbrëmje Kadriu dhe dy vëllezërit ishin aq të lumtur e gazmor si asnjëherë tjetër.
Se si Kadriu doli të më merrte në telefon e të më thoshte se nuk mund të kthehej atë natë…
Ai e dinte se do të merakosesha, sepse armiku nuk do të flinte…
Prandaj doli të më njoftonte… Sepse dinte të respektonte…
Doli të fliste, por nuk foli dot atë natë, sepse plumbat e kishin goditur rëndë, duke ia mbyllur gojën përjetë…