Gjilan

Bordit Këshillëdhënës Industrial në Universitetin Publik “Kadri Zeka” ka zgjedhur kryetarin e ri

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan në udhëheqjen e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka mbajtur takim më përfaqësues të tregut të punës nga sektori privat dhe publik si  dhe përfaqësues nga fushë veprimtaria e Universitetit, përfaqësues të drejtorive të arsimit nga rajoni i Anamoravës, respektivisht  nga Komuna e Gjilanit, Kamenicës dhe e Vitisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte zgjedhja e mandatit vijues të Bordit Këshillëdhënës (Industrial)  të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Vet përfaqësuesit e Institucioneve komunale, kompanive dhe bizneseve, kanë zgjedhur kryetarin e Bordit Këshillëdhënës (Industrial)  për mandatin vijues 2023-2028 Avokatin Arsim Vranovci, i cili njëherësh është Kryetar i Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit, Pronar i Global Legal Business dhe Pronar i Global Consulting & Development Associates

Fillimisht Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa Prorektor për Buxhet, financa dhe infrastrukturë, hapi takimin duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrje.

Kurse Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor  i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  falënderoi  pjesëmarrësit në takim, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të qenë pjesë e këtij Bordi shumë të rëndësishëm për bërjen e politikave zhvillimore të Universitetit. Ai tha se përmes Bordit Këshillëdhënës Industrial (BKI) UKZ po synon ta ndërlidhë sa më shumë universitetin dhe anën akademike me bashkësinë dhe tregun e punës.

“Një nga objektivat më të rëndësishme për Bordin Këshillëdhënës Industrial(BKI) është të kontribuojë në suksesin strategjik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe të programeve studimore të fakulteteve të tij”, tha Rektori Dërmaku.

Sipas Rektorit , BKI do të ndihmojë UKZ që të ndërtojë një imazh më të mire, do të ndihmojë në ndërlidhjen e perspektivës industriale në programet universitare, do të tërheqin grante kërkimore, projekte të dizajnuara nga studentët, organizimin e praktikës së studentëve, si dhe të zgjedhim së bashku çështjen e kampusit, pasi që siç tha rektori, jemi i vetmi Universitet në Kosovë që ende e kemi të pa definuar këtë problem.

Në fjalën e tij kryetari i deritanishëm i Bordit Industrial Këshillëdhënës Xhelal Selimi tha se  i gjithë sektori publik dhe privat duhet të punojnë ngushtë në mënyrë që të përkrahim Universitetin Publik “Kadri Zeka”.

Drejtori i drejtorisë komunale të Arsimit në Kamenicë Afrim Dervishi në fjalën e tij tha se të gjithë këtu që jemi të pranishëm, jemi shpresë për njëri-tjetrin, andaj siç tha drejtori UKZ ka nevojë për ta ndihmuar në zhvillim.

Nexhat Hajrullahu nga drejtoria komunale e Arsimit në Gjilan, tha se gjendja në arsim fillor dhe të mesëm është e vështirë, sepse çdo ditë ka rënie të numrit të nxënësve. Ai tha se pajtohet me idenë që universiteti duhet të ketë ndërlidhje të programeve studimore më drejtimet e shkollë së mesme, si shembull mori themelimin e programeve që kanë të bëjnë me industrinë e bujqësisë dhe ushqimit.

Afaristet, Mon Qoqaj nga industria Qoqaj dhe Arta Haziri Nuhiu menaxhere në Vali Rahch, thanë se Gjilanit me të vërtet i duhen programe të teknologjisë ushqimore dhe të gastronomisë, sepse sipas tyre vazhdimisht vërehet mungesa e stafit profesional në këto lëmi.

Ndërsa Arsim Vranovci tashmë kryetar i Bordit  Këshillëdhënës Industrial në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, pasi falënderoi të gjithë për besimin e dhënë, tha se do të mundohet të punojë në të mirë të universitetit

Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku uroi Arsim Vranovcin për zgjedhjen kryetar të BKI, derisa ka ftuar të gjithë që të japin ide konkrete për  zhvillimin e programeve bashkëkohore që është synim i yni i përbashkët.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e Institucioneve komunale,  kompanive dhe bizneseve të Anamoravës, theksuan se janë të kënaqur me qasjen që ka treguar Universiteti Publik “Kadri Zeka” ndaj tyre dhe thanë se janë të gatshëm të japin kontribut të vazhdueshëm në zhvillimin e Universitetit.

You Might Also Like