Futboll

Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes Gjilani – Malisheva, dy gola të shënuar

Pas dy javësh pushim, futbolli kosovar është kthyer në aksion, kurse Gjilani i trimëruar me fitoren e para dy jave ndaj Prishtinës është futur me entuziazëm në ndeshjen e sotme, por që në minutën e dytë Etnik Bruti i Malishevës pati rast ideal për të shënuar, por për pak gjuajti skaj pingules së majtë të Bllacës.

Në minutën 6, Edi Basha së tepërmi e mbajti dhe e humbi atë, kurse Malisheva organizoi një sulm të mirë nga e majta, kur Hasani dërgoi topin deri te Assane Diatta që me thembër gjeti Mevlan Zeka e ky me gjuajtje për tokë futi topin në rrjetë për 0:1.

Gjilani shumë shpejt ia doli të barazojë kur në minutën 11, nga e majta është shërbyer Jaroviq që gjuajti me kokë, por portieri i Malishevës priti topin e në topin e kthyer Armend Thaqi gjuajti me të parën dhe për tokë e futi topin në rrjetë për rezultatin 1:1.

Pas një aksioni të mrekullueshëm Gjilani pati rast të kalojë në epërsi në minutën 22, por gjuajtja e Thaqit për pak shkoi jashtë pingules së majtë.

Në minutën 42 ka rrezikuar Xhylani, që ka gjuajtur nga e majta, por gjuajtjen e tij e ndali Aridon Bllaca, kështu që pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë 1:1. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like