Në vitin 2010, në Shkup kishte nisur hartimi i një enciklopedie, e cila kishte lanë anash ngjarje, figura kombëtare shqiptare e atdhetare që kishin vepruar në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut, andaj një enciklopedi e tillë nuk përfaqësonte realitetin, andaj Prof. Dr. Ramiz Abdyli, ishte ndër të parët që kishte kundërshtuar një enciklopedi dhe kishte kërkuar që ajo të rishkruhet prej fillimit.
“Gjatë rishkrimit të enciklopedisë do të insistojë që ne ta shkruajmë historinë tonë dhe ajo të jetë pjesë përbërëse e Historisë së Popullit Shqiptar, sepse shqiptarët kanë një histori e një gjuhë dhe kësaj nuk guxohet t’i iket”, pati thënë Dr. Ramiz Abdyli në një intervistë me gazetarin Enver Sadiku në prill të vitit 2010, të cilën të plotë kryelajmi.com ua sjell lexuesve për të dëshmuar vlerat e mëdha që kishte Prof. Dr. Ramiz Abdyli, i cili ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.
Shqiptarët nuk zunë vendin meritor në Enciklopedinë e Maqedonisë. U lanë anash ngjarje, por edhe figura atdhetare që kanë vepruar në territorin e sotëm të Maqedonisë, që nga lashtësia, nga fillet e Rilindjes Kombëtare e deri në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, sikur që u lanë anash edhe atdhetarë e veprimtarë të ngjarjeve të bujshme historike, kulturore e arsimore e të luftës çlirimtare të shqiptarëve në Maqedoni, andaj nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtarët, një enciklopedi e tillë si e tillë u cilësua si e pavlerë.
Tashti, kur në Maqedoni është krijuar një redaksi për hartimin e enciklopedisë së re, pjesë e kësaj redaksie janë edhe dy personalitete të çmuara të shqiptarëve në këto anë, dr. Ramiz Abdyli e dr. Alajdin Abazi.
Dr. Ramiz Abdyli, drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës që nga themelimi, punëtor shumëvjeçar në Institutin e Historisë të Kosovës dhe autor i shtatëmbëdhjetë librave nga Historia Kombëtare, thotë se enciklopedia në Maqedoni duhet shkruar prej fillimit, ngase atë të mëhershmen e quan sajesë të tipit të Serbisë ose e huazuar nga ajo lidhur me autoktoninë e shqiptarëve. Maqedonasit i vunë vetes detyrë që enciklopedinë ta shpërndajnë sa më parë e sa në më shumë koje dhe tashti është e vështirë tërheqja e saj.
Duke folur rreth kësaj enciklopedie, dr. Abdyli nuk beson se ajo mund të tërhiqet nga publiku e as që ka tentativa të atilla, kurse shton se ka lëkundje edhe në redaksinë e re.
Abdyli, thotë se po insistohet që ato pesë njësi që kanë të bëjnë me shqiptarët të rishkruhen dhe të shpërndahen, por shton se ai ka shprehur mendimin dhe ka insistuar që enciklopedia të shkruhet nga e para e të rishkruhet e tëra, ngase edhe në pjesët ku flitet për historinë sllavo-maqedonase përbaltohen shqiptarët. Ai thotë se në atë enciklopedi më tepër janë përzgjedhur vetëm personalitete që ishin bashkëpunëtorë të Serbisë e të Maqedonisë, kurse u lanë anash figurat atdhetare që kanë vepruar në territorin e sotëm të Maqedonisë, që nga fillet e Rilindjes Kombëtare e deri në vitin 1912.
“Gjatë rishkrimit të enciklopedisë do të insistojë që ne ta shkruajmë historinë tonë dhe ajo të jetë pjesë përbërëse e Historisë së Popullit Shqiptar, sepse shqiptarët kanë një histori e një gjuhë dhe kësaj nuk guxohet t’i iket”, thotë dr. Abdyli.
Ai thotë se redaksia është në hapat e parë të bisedimeve për shkrimin e enciklopedisë së re, por ende nuk i është vënë pikë enciklopedisë së vjetër dhe se kjo punë do të jetë shumë e vështirë të kryhet me sukses, sepse redaksia varet nga Këshilli, Kryesia dhe Kuvendi i Akademisë dhe është një pikëpyetje e madhe se a do të pranohet që shqiptarët të shkruajnë historinë e vetë, ngase ishte po ai Kuvend i Akademisë që shkroi enciklopedinë e parë.
I pyetur se nëse një gjë e tillë ndodh, Abdyli, thotë se do të jenë të detyruar të dalin nga redaksia, ngase siç thotë ai, nuk mund të turpërohesh para kombit e para historisë së popullit tënd.
Në Republikën e Maqedonisë është një vlim ndaj çështjes së emrit dhe mund të ndryshojnë rrethanat, sikurse që mund të ndryshohet edhe në akademi, ku tashti dominon elementi proserb.
“Nëse dështon rishkrimi i enciklopedisë së Maqedonisë, shqiptarët duhet ta bëjnë Enciklopedinë Shqiptare. Nëse na detyruan të ndahemi në gjashtë shtete, askush nuk mund të na ndalojë që të shkruajmë enciklopedinë tonë”, thotë dr. Ramiz Abdyli, anëtar i redaksisë për shkrimin e enciklopedisë së re të Maqedonisë.
Legjenda: dr. Ramiz Abdyli





