Në kuadër të “Javës së Frankofonisë”, në Galerinë e Qytetit, është hapur ekspozita fotografike “Biodiversiteti” mbi punën e shoqatës franceze SISMAE.
Në hapje të kësaj ekspozite, pos kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ishte edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot me stafin e tij, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri dhe përfaqësues nga komuna e artistë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se kanë përmbyllur një aktivitet tejet të veçantë në kuadër të “Javës së Frankofonisë”.
Sipas tij ekspozita fotografike “Biodiversiteti”, e realizuar në bashkëpunim me shoqatën franceze SISMAE, na solli një reflektim të bukur mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit përmes objektivit artistik.
“Ishte kënaqësi të shihnim interesimin e qytetarëve për këto vlera universale që na bashkojnë me botën frankofone”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët tanë që po e bëjnë këtë edicion të 26-të të Frankofonisë të paharrueshëm.



