Naim Musliu – Kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan
Fjalë rasti në seancën solemne të Kuvendit Komunal në Gjilan për nderë të 20 vjetorit të Epopesë së luftës Adem Jasharit.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912 që përfshiu gjitha tokat shqiptare dhe copëtimit i tyre më 29 korrik 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke ju dhënë territore shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, Lëvizjes Kombëtare jashtë Shqipërisë së cunguar iu dha detyrë që edhe më tutje të vazhdoj luftën kundër pushtuesve.
Pas vitit 1912 Kosova dhe viset tjera shqiptare kaluan në duart e shumë pushtuesve. Kështu nga vitit 1912 deri më 1914 Kosova ishte nën Mbretërinë e Serbisë kurse në Luftën e Parë Botërore, u pushtua nga austro-hungarezët e bullgarët, ndërsa në vitin 1918 Kosova u ripushtua nga serbët dhe u sundua nga Mbretëria Serbe Kroate e Sllovene që më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë dhe pushtimi zgjati deri më 1941. Nga viti 1941 deri më 1944, respektivisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti e ndarë në tri zona pushtimi atë italian, gjerman e bullgar. Më 8 shkurt 1945, Kosova u pushtua ushtarakisht nga forcat jugosllave dhe Jugosllavia e udhëhequr nga komunistët e nacionalistët serbë që e sunduan Kosovën deri më 1999.
Në anën tjetër shqiptarët nuk u pajtuan në asnjë periudhë me pushtuesit e huaj. Gjatë viteve 1912 – 1913 në krye të Lëvizjes për mbrojtjen e tokave shqiptare ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Elez Isufi e shumë atdhetar tjerë. Kurse gjatë Luftës Parë Botërore, çetat kryengritëse i udhëhoqi Azem Bejta, Idriz Seferi, Mehmet Konjuhi, Lotë Vaku etj.
Në vitin 1918 u themelua edhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që e udhëhoqën Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina etj. që luftonin për bashkimin e tokave shqiptare. Po ashtu u formuan edhe formacionet ushtarake për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesit të udhëhequra nga Azem Bejta e Sadik Rama e Kalosh Dani Zajazi.
Gjatë viteve ’30 të shekullit XX qeveria jugosllave në marrëveshje me Turqinë bëri shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë, ku këtë proces e ndaloi fillimi i Luftës së Dytë Botërore.
Nga viti 1941 deri në vitin 1944 në përjashtim të zonës bullgare që u keqtrajtua populli shqiptar dhe që në mbrojte të saj ishte Hasan Alia me shokë, pjesa tjetër e Kosovës edhe pse nën pushtimin italian e gjerman pati një zhvillimit të dukshëm si në drejtat kombëtare edhe ato arsimore. Në vitin 1943 u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e “Tokave të Lirume” nga pushteti jugosllav. Megjithatë, vitet e para të pushtimit të Kosovës nga viti 1945 deri më 1951, vepronte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila kundërshtonte pushtimin komunist serb. Në këtë periudhë veprimtari të dendur bëri Adem Gllavica, Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Halim Spahiu, Halim Orana, Mulla Idriz Gjilani, Esat Berisha e Shaban Polluzha e shumë atdhetarë tjerë.
Në vitin 1968 dhe 1981 shpërthyen demonstratat e rinisë studentore në Kosovë për të kërkuar drejtat e tyre, ku në mesin e shumë parullave ishte edhe parulla Kosova Republikë. Më 19 – 20 shkurt 1989, u mbajt greva e minatorëve në Trepçë. Më 28 mars të vitit 1989, Kuvendi i Serbisë e shfuqizoi autonominë e Kosovës. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës nën masa të dhunshme të policisë serbe shpalli Deklaratën Kushtetuese, kurse tre ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pushtuesi serb e suprimoi autonominë e Kosovës.
Më 7 shtator 1990, nën okupimin serb në Kaçanik u shpallë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në vitin 1991 u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës. Pas zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992 u themeluan edhe institucionet e pavarura të Kosovës nga ato që i kishte pushtuesi jugosllav në Kosovë. Në krye të këtyre institucioneve qëndronte presidenti Ibrahim Rugova.
Nga të gjitha këto lëvizje politike në Kosovës, Adem Jashari në fillim të viteve të ’90 – ta me bashkëpunëtorët e tij duke parë nevojën e domosdoshme filluan t’i organizonin formacionet e para ushtarake.
Adem Jashari lindi në Prekaz të Skenderaj, më 28 nëntor 1955 dhe ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahides. Shkollën fillore e kreu në Prekaz, kurse të mesmen teknike në Skenderaj. Që nga mosha madhore ai ishte pjesë e zhvillimeve politike në Drenicë dhe Kosovë. Për tu stërvitur ushtarakisht më 3 nëntor të vitit 1991, për disa muaj me një grup shokësh nga Kosova qëndruan në bazën ushtarake shqiptare në Labinot të Elbasanit në Shqipëri. Aty bënin përgatitje ushtarake nga ushtria shqiptare.
Pas kthimit nga Shqipëria Adem Jashari filloi të organizoj aksione të armatosura kundër forcave policore serbe në Drenicë dhe më gjerë. Këtyre organizimeve ushtarake të Adem Jasharit me shokë iu bien në gjurmë regjimi pushtues serb. Kështu më 30 dhjetor 1990, forcat policore serbe të armatosur me armatime të rënda rrethuan Prekazin. Deri sa policia serbe kërkonte që të dorëzohet Adem Jashari, vetëm se filloj lufta ndërmjet Adem Jasharit me të vëllanë dhe shokët e tij dhe forcave serbe. Pas katër orë luftimesh Adem Jashari me shokë e çanë rrethimin. Kurse forcat serbe për ta kapur Adem Jasharin angazhuan edhe helikopter. Kështu ekspedita e parë ushtarake dështoi. Pas këtij rrethimi Adem Jashari filloi edhe më intensivisht të punoj rreth formimit të Lëvizjes së Armatosur të Kosovës.
Më 1 tetor 1997 shpërtheu protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj dhunës që përdorte pushtuesi serb. Më 27 nëntor 1997, Adem Jashari me njësitin e tij e kreu edhe një aksion të armatosur në Vojnik të Drenicës. Në këtë betejë katër orësh ndërmjet forcave shqiptare dhe atyre serbe e detyruan policinë serbe të tërhiqeshin. Në shenj hakmarrje për humbjet nga forcat e UÇK – së, policia serbe vranë mësuesin Halit Gecin para dyerve të shkollës. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë në mënyrë publike. Pas këtyre aksioneve të UÇK – së filluan të përqendrohen forca të shumta ushtarake serbe Drenicë, në rrugën Mitrovicë – Skenderaj e sidomos në fabrikën e Municionit në Prekaz. Kështu Familja e Jasharajve më 22 janar 1998 u rrethua nga forcat serbe me pretekstin për ta kërkuar Adem Jasharin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas ushtria serbe e sulmoi me armë shtëpinë e Jasharajve, ku edhe Jasharajt iu përgjigjën sulmit. Mbas disa orë luftimesh forcat serbe tërhiqen në drejtim të Skenderaj. Në këtë betejë mbetën të plagosur dy nga vajzat e familjes Jashari. Kjo ishte hera e dytë që rrethohet familja e Jasharajve nga forcat serbe. Në fund të shkurtit të vitit 1998, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sulmuan policinë serbe te vendi i quajtur “gjashtë lisat” ndërmjet fshatit Qirez e Likoshan. Policia serbe humbjes së betejës nga UÇK – ja, më 28 shkurt të vitit 1998, në shenj hakmarrje sulmuan fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë dhe vranë 24 veta. Adem Jashari me njësitin e tij arrijnë me vonesë por ata arrijnë të hyjnë brenda fshatrave dhe i tërheqin të plagosurit dhe popullsinë e këtyre fshatrave. Kjo betejë dhe masakra në Qirez e Likoshan shënon fillimin e luftës në Kosovë. Deri sa opinioni ndërkombëtar po e kuptonte se Serbia po organizonte terror dhe dhunë të organizuar nga aparati shtetëror serb ndaj popullsisë shqiptare dhe deri sa diplomacia perëndimore bënte përpjekje të ndalonte këtë, familja Jashari sulmohet për të tretën herë nga forcat serbe. Më 5 mars 1998, forcat e shumta ushtarake policore rrethuan Prekazin dhe familjen Jashari. Në kullën e Jasharajve gjendeshin 21 anëtar nga 30 anëtarë të familjes. Aty ishin edhe Adem e Hamz Jashari, babai i tyre Shabani dhe gratë e fëmijët. Kurse të tjerët ishin në Gjermani. Rrethimin policor e ushtarak serb, i pari e hetoi Adem Jashari dhe kishte deklaruar “Sot do të kemi luftë. Me fat na qoftë”. Edhe pse babai i Adem Jasharit, Shaban Jashari, kishte kërkuar që të largohen gratë e fëmijët dhe vetë të bëjë rezistencë, këtë nuk e pranoi Adem Jashari, ku tha “Nuk largohem nga shtëpia. Kamë vendos të vdes për Kosovën dhe Shqipërinë”. Kështu filloi një luftë e pabarabartë ndërmjet forcave serbe dhe 22 anëtarëve të familjes Jashari.
Luftimet u zhvilluan deri në mbrëmjen e 5 marsit të vitit 1998, dhe anëtari i parë i vrarë nga familja Jashari ishte gruaja e Ademit, Adilja. Ajo u vra deri sa e furnizonte bashkëshortin e saj Ademin me municion. Kështu luftimet vazhduan më 6 dhe 7 mars 1998, për tri ditë rresht. Luftimet u zgjerua në gjithë lagjen Jasharaj, ku u solidarizuan me familjen e Adem Jasharit. Kështu në ditën e tretë të luftimeve, më 7 mars 1998, një predhë topi të kalibrit të madh e goditi dhomën ku qëndronin fëmijët, gratë dhe pleqtë e familjes Jashari. Kështu Adem Jashari duke kënduar e luftuar ra heroikisht me 20 anëtarët e familjes së tij. Pas tij u vra edhe djali i tij 13 vjeçar, Kushtrimi që po ashtu luftonte përkrah babait të tij. Kështu në betejën e Jasharajve në Prekaz, nga lagjja Jasharaj u vranë 53 veta, prej tyre 21 anëtar të familjes së Adem Jasharit dhe vetëm Besarta vajza e Hamëz Jasharit mbeti e gjallë. Të gjithë të vrarët u varrosën në fushën e pajtimit në Prekaz.
Të vrarët nga familja e ngushtë Jashari janë:
1. Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit
2. Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit
3. Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
4. Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
5. Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
6. Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
7. Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
8. Hamëz Shaban Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit
9. Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
10. Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
11. Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
12. Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
13. Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
14. Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
15. Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
16. Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
17. Adem Shaban Jashari (42)
18. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
19. Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
20. Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit
Të vrarë nga familja e gjerë Jashari janë:
21. Artim Sejdi Jashari
22. Bahtie Muharrem Jashari
23. Abdullah Zen Jashari
24. Blerim Zen Jashari
25. Bujar Zen Jashari
26. Qazim Osman Jashari
27. Nazim Zuk Jashari
28. Beqir Bajram Jashari
29. Halil Bajram Jashari
30. Sherif Brahim Jashari
31. Faik Tahir Jashari
32. Sinan Ramadan Jashari
33. Ali Ramadan Jashari
34. Elheme Uka Jashari
35. Halit Imer Jashari
36. Mihrije Feriz Jashari
37. Hajzer Zymer Jashari
38. Myrtez Zymer Jashari
39. Sabrie Zymer Jashari
40. Hanife Zymer Jashari
41. Hamit Hus Jashari
42. Sala Sheremet Jashari
43. Qerim Hus Jashari
44. Shahin Qerim Jashari
45. Ukshin Qerim Jashari
46. Hajrije Zymer Jashari
47. Hamide Ajet Jashari
48. Kajtaz Maliq Jashari
49. Ajvaz Kajtaz Jashari
50. Smajl Asllan Jashari
51. Sadik Hysen Jashari
52. Afije Hysen Jashari
53. Hamdi Sadik Jashari
54. Elfije Sadik Jashari
Epopeja e luftës së Adem Jasharit dhe familjes së tij, ndërgjegjësoi botën demokratike dhe liridashëse për gjendjen që jetonin shqiptarët nën sundimin serb. I gjithë opinioni shqiptarë ku do që ndodhej shprehu zemërim ndaj veprimeve të ushtrisë serbe. Veprimet serbe ndaj shqiptarëve e sidomos në familjen Jashari, e dërgoi çështjen e Kosovës edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në saje të kësaj qëndrese Adem Jasharit me familje merr epitetin komandant legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu qëndresa e Adem Jasharit ndikoi tek shumë djem e vajza që të iu bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nën heroizmin e tij luftuan kundër forcave serbe për ta çliruar Kosovën.
Nën frymëzimin e luftës së Adem Jasharit, lufta vazhdoi dhe dal nga dal përfshinte pothuajse tërë territorin e Kosovës. Nga shumë masakra anekënd Kosovës në janar të vitit 1999, forcat serbe kryen edhe masakrën e Reçakut, ku luftën e UÇK – së e vendosi në një fazë të re të veprimtarisë së saj. Në shkurt – mars të vitit 1999, u mbajt konferenca e Rambujesë. Pas tërheqjes së Misionit Verifikues të Kosovës, më 19 mars 1999, shteti serb e filloi aksionin për spastrimin e Kosovës. Pas dështimit të konferencës së Rambujesë apo Parisit, më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO – s ndaj caqeve ushtarake serbe.
Më 12 qershor 1999 u çlirua Kosova dhe në territorin e saj hyjnë forcat e Nato – s dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri nëpër qytetet e Kosovës.
Vepra heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij, dhe e vajzave e djemve që ranë në luftë për lirinë e Kosovës, bëri që bota perëndimore në krye me ShBA-në të ndërhyj për të ndalur luftën shfarosëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo vepër heroike dhe unikale në botë duhet të jetë vizion dhe frymëzim që gjeneratat e sotshme dhe të ardhshme të vazhdojnë punën që Kosova të ec edhe më tutje drejt një shteti të fuqishëm dhe demokratik për të cilën kanë luftuar breza të tërë.
Ju faleminderit!