Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e sotëm në Karaçevë, ku janë arrestuar dy persona të cilët janë dërguar në mbajtje.
Operacioni policor ka filluar që në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.
Të njëjtëve u janë bastisur shtëpitë dhe policia njofton se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
Nëntëdhjetëegjashtë (96) aparate të lojërave të fatit, katër (4) shtëpiza kompjuterike, tre (3) llaptop , tre (3) monitor, dy (2) TV që janë përdorur për lojëra të fatit, një (1) pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me shtatëmbëdhjetë (17) fishekë , një (1) gjenerator si dhe 469,15 euro (të gjeturat në aparatet e lojërave të fatit).
Të gjitha aparatet (96 copë) dhe një (1) gjenerator sipas procedurave të parapara iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.
Policia po ashtu njofton se Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje në të cilat kanë qenë duke u ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër, është mbyllur dhe shirituar nga Inspeksioni Komunal, Dardanë.
Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim të personave tjerë si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast.