LAJME, Sportet me dorë

Arben Bislimi, kampioni në dy sporte të ndryshme

Shumëkush  e ka ëndërr jetësore që një herë të bëhet kampion në ndonjë sport. Sa e sa djersë duhet derdhur për t’ia arritur këtij qëllimi. Ka ekipe që prej themelimit asnjëherë nuk e përjetuan të qenit kampionë, sikurse që ka edhe lojtarë që përfunduan karrierën sportive pa e shijuar ndjenjën e të qenit i pari, pa medalje në gjoks e pa ngritje trofeu.

Ka edhe të atillë që i patën të gjitha këto ndjesi, bile edhe disa herë, por të rrallët janë ata që u bënë kampionë në dy sporte, bile rastet e tilla kudo cilësohen si kuriozitet. Një rast i tillë në botën e sportit mund të gjendet në Gjilan, pikërisht te sportisti Arben Bislimi, që në dy sporte, në basketboll e në volejboll, me dy klube, KB Drita e KV Drita, ia arriti që të shpallet kampion i Kosovës.

Qysh si i ri, Arben Bislimi ishte i dhënë pas basketbollit, sport në të cilin kaloi të gjitha grupmoshat, por pikërisht atëherë kur ishte pjekur si sportist i dalluar, sporti kosovar po përballej me gjendjen më të vështirë nën okupim. Arben Bislimin kjo nuk e zmbrapsi, por përkundrazi edhe më shumë iu rrek punës dhe në vitin 1996 Klubi i Basketbollit Drita u shpall kampion i Kosovës, ku gjithsesi se kontributi i Arben Bislimit është i pamohueshëm. Basketbollin ai gjithnjë e kishte në zemër, por pak muaj më pas, ai kishte nisur edhe një përvojë të re, lojën e volejbollit dhe njëkohësisht luante në dy kampionate në basketboll e në volejboll, sa në një ndeshje e sa në tjetrën. Në vitin 1988, Klubi i Volejbollit Drita shpallet kampion e një ndër lojtarët kyç në këtë ekip ishte pikërisht Arben Bislimi e pas përfundimit të luftës po me këtë fitoi edhe Kupën e Kosovës në Volejboll.

drita-b-2001

KB Drita, Kampion i Kosovës më 1996 (Arben Bislimi, i fundit ulur)

 

kv-drita

KV Drita, Kampion i Kosovës më 1998 (Arben Bislimi mban kupën)

 

Pas luftës, gjërat kishin ndryshuar, në KB Drita kishin ardhur lojtarë edhe nga SHBA-të e konkurrenca në ligë ishte rritej tej mase, andaj Arben Bilsimi u desh që aktivisht të përshëndetet nga loja e volejbollit, tashti i tëri duke iu përkushtuar basketbollit, sport i cili mbushte sallën përplot e ku shikuesit sa e sa herë thirrën emrin e lojtarit më të mirë vendorë dhe kapitenit të ekipit, Arben Bislimi.

Beni, që tashti ka përfunduar karrierën aktive, tërë përvojën vazhdon ta bartë tek gjeneratat e reja. Ai jeton në një familje sportistësh, ngase edhe bashkëshortja e tij Mimoza Shkodra – Bislimi disa herë ishte shpallur kampione e Kosovës në volejboll dhe që të dy tashti janë pedagogë të kulturës fizike. Të rralla janë familjet që kanë sjellë tituj kampioni nën një kulm, mbase ato në të ardhmen ato në familjen Bislimi edhe mund të rriten, ngase vajza e tyre Megi po e ndjek rrugën e prindërve, më shumë kah volejbolli, por nuk i dihet…

You Might Also Like