Topi e kishte tërhequr qysh kur kishte qenë fëmijë, por në moshën shtatëvjeçare, Bahtije Miftari kishte nisur më seriozisht të merret me futbollin për të arritur në Klubin e Futbollit të Femrave Drita, që më pas u pagëzua Intelektualet, kurse për të interesim kishin paraqitur edhe shumë ekipe jashtë vendit.
Bahatije Miftari, një lojtare shtatlartë, njihet si një mesfushore shkatërruese, organizatore e mirë e lojës dhe e cila shpesh di të kyçet edhe në fazën e sulmit.
Tashti, ajo thotë se ndjehet shumë e lumtur që po djersit fanellën e KFF Intelektualet dhe kujton kohën kur kishte nisur karrierën e saj, duke u stërvitur nga trajneri Arsim Thaçi, për të kaluar më pas në KFF Drita, ëndërr që e kishte pasur kaherë e tash është lojtare standarde e KFF Intelektualet. Kjo punë bëri që Bahtije Miftari t’i bie në sy edhe përzgjedhëses së Kosovës në Futboll dhe tash e dy vite është lojtare e përfaqësueses. Interesim për të kanë paraqitur edhe klube nga Turqia, atje ku bashkë me klubin e saj kishte marrë pjesë në një turne dhe në disa lojë miqësore kishte shënuar tetë gola për tri loja sa i kishte zhvilluar.
“Unë kisha ëndrra, por ato nuk shkonin edhe aq larg, që të bëhem pjesë e një klubi të Superligës ashtu siç është ky i yni, më pas të bëhem edhe reprezentuese e Kosovës, si lojtare e krahut të majtë”, thotë Bahtije Miftari, që është e pandalshme në lojë, është teknike e përsosur, e saktë në pasime , duke sjellë shpesh në pozita të lakmueshme dy sulmueset Antigona Behluli dhe Kaltrina Biqkaj, që ishin ndër sulmueset më të mira në Kosovë.
Ajo kurrë nuk dorëzohet, nuk lejon që të korit numrin shtatë që e bartë në fanellë, numër që e bartin edhe shumë lojtarë të njohur, kurse çmon lart edhe punën që po e bënë trajneri i saj, Afrim Mehmeti, të cilin e çmon shumë dhe e cilëson si shumë meritorë për sukseset që i ka arritur.
Bahtija ka shumë ëndrra, angazhimi në ndonjë klub evropianë është synimi i saj, kurse ëndrrat do t’i plotësoheshin krejtësisht kur do të takonte idolin e saj të madh Cristiano Ronaldo.
Tash kur klubi i saj i ka filluar stërvitjet, ajo beson se klubi i saj do të jetë në garë për titullin e kampionit dhe në garë për kupën e Kosovës, kurse ekipin e saj nuk do ta ndërronte me ndonjë klub në Kosovë, as për Hajvalinë, Mitrovicën e Kosovën e Prishtinës që i kishin bërë ftesë, ngase siç thotë ajo shtëpia e saj është FC Drita Intelektualet.