Sportet me dorë

Basketbolli fuqishëm do të kthehet në Gjilan

Klubi i Basketbollit Drita nga Gjilani shumë shpejt pritet t’i kthehet sukseseve të dikurshme. Së fundi ky ekip duket se ka rënë në duar të sigurta, me sponsorë tejet seriozë dhe me ambicie për të ardhmen.

Kështu, në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” është nënshkruar marrëveshje nëpërmjet të cilës klubi nga OJQ ka kaluar në SHPK dhe tash e tutje me klubin do të udhëheq Enis Islami, afarist i njohur, shkruan kryelajmi.com.

Siç ka theksuar Arben Bislimi, ish-lojtar i njohur dhe kryetar i deridjeshëm, basketbolli po i kthehet Gjilanit dhe ka bërë me dije ecuritë më të reja, ku pas një angazhimi disamujor, klubi do të funksionojë si SHPK dhe se është negociuar me disa afaristë e ku një rol të madh e pati edhe kryetari Alban Hyseni, i cili i gjeti afaristët vullnetmirë.

Sipas Bislimit, nga sot e tutje, kryetar i Klubit të Basketbollit Drita do të jetë Enis Islami, një afarist i njohur, falë punës të të cilit, por edhe të tjerëve, klubi do të kthejë namin e dikurshëm.

“Enisi ashtu si është i suksesshëm në biznes, njëjtë do të jetë i suksesshëm edhe me KB Drita”, ka thënë Arben Bislimi, duke bërë me dije se ujdia po zyrtarizohet dhe se klubi do të shkojë para.

Është nënshkruar edhe marrëveshja në prani të gazetarëve, pjesës tjetër të kryesisë dhe disa lojtarëve.

Presidenti i ri, Enis Islami, ka thënë se nga sot e tutje klubi do të marrë rrugë të mbarë, mbështetja financiare do të ekzistojë dhe tash me stafin, trajnerin dhe lojtarët do të mëtohet të krijohet ekip shumë i mirë..

Gjyletekin Selimi, kryetrajner, ka thënë se klubi e ka një pjesë të lojtarëve, por edhe tash po punojnë në angazhimin e lojtarëve të rinj dhe se qysh tashti janë në bisedime me një lojtar të njohur amerikan, i cili shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e Dritës.

Këtë ujdi e ka përshëndetur edhe Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, i cili edhe vetë dikur kishte qenë basketbollist.

K.B. DRITA drejt sukseseve të reja!

Më në fund, pas një angazhimi të gjatë e aspak të lehtë, K.B. DRITA tashmë ka zgjidhur problemin financiar.

Bashkërisht po synojmë majat e basketbollit vendor. Shumë shpejt, K.B DRITA rikthehet me basketboll cilësor e atmosferë të zjarrtë”, ka shkruar Hyseni./kryelajmi.com

You Might Also Like