OPINION

Demonstratat e vitit 1981 një kthesë e madhe për lirinë e Kosovës

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, me rastin e 37 vjetorit të Demonstratave të vitit 1981, kujton dhe nderon të gjithë ato vajza e djem që morën pjesë në këto demonstrata.

Demonstratat e studentëve shqiptarë në Kosovë filluan më 11 mars 1981 dhe vazhduan më 24 mars dhe më 1 e 2 prill 1981. Me kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli shqiptar i Kosovës. Në këto demonstrata u vranë 9 veta dhe u plagosën15 të tjerë, ndërsa forcat e policisë serbe patën 2 të vrarë dhe 17 të plagosur.

Në këto demonstrata populli i Kosovës u ngrit kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe represionit të përjetuar nga pushtuesi jugosllav. Kërkesat e demonstratave u paraqiten edhe përmes parullave, siç ishin: “Kosova kosovarëve”, “Duam Republikë”, “Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “E duam flamurin kombëtar”, “Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera parulla.

Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me dhunë. Më 2 prill 1981, Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. U ndërpre qarkullimi i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në komunikacion. Kështu, Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë përpjekje që të shkëputnin çdo lidhje të saj me botën.

Këto demonstrata studentore në Kosovës treguan edhe një herë se shqiptarët e Kosovës janë kundër çdo pushtuesit dhe e duan lirinë e vendit të tyre. Prandaj këto demonstrata e bashkuan edhe më shumë Lëvizjen Kombëtare për të zhvilluar luftën politike e më vonë edhe ushtarake që të realizoj kërkesën e saj, lirinë e Kosovës.

You Might Also Like