Dr. Sc. Dren Qerimi, profesor universitar në SHBA, këtë të enjte ka mbajtur një ligjëratë në Gjimnazin Natyror “XhavitAhmeti” në Gjilan, që në fakt ishte një storie suksesi e këtij studiuesi, i cili deri te këto të arritje të larta shkencore ka mbërri duke përfunduar shkollimin fillor dhe atë të mesëm në Kosovë e më pas studimet bachelor, master dhe doktoratë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dr. Dren Qerimi në rrëfimin e tij u ka shërbyer si model nxënësve tanë se si me punë të pandalshme, me përkushtim, mund e sakrificë, me gjithë mallin për atdheun e shokët e fëmijërisë mund të arrihen synimet.
Duke qenë një ndër fituesit e garave të matematikës sa ishte në shkollën fillore, por edhe në gjimnaz në drejtimin matematikë – informatikë, i mbështetur pa rezervë nga profesorët e kësaj lënde Festim Shkodra e Murat Morina, por edhe nga profesorë të tjerë, falë Fondacionit BislimiGroup, ai ka vazhduar studimet në SHBA, në Illinois University, ku ka përfunduar shkollimin deri në studimet e doktoratës dhe tani është hulumtues i lartë shkencor dhe drejtor në Institutin e Plazmës në Illinois University. Ai njëkohësisht është edhe profesor i inxhinieringut nuklear, radiologjik dhe të plazmës në Illinois University, si dhe është mentor i shumë doktorantëve të rinj.
Duke ligjëruar para nxënësve tanë, dr. sc. Dren Qerimi, në mënyrë kronologjike foli për rrugëtimin e tij arsimor e shkencor, për t’u ndalë në punën që ai bën në projekte të ndryshme shkencore, ku ndër më të rëndësishmet janë hulumtimet në fushën e energjisë, sidomos asaj atomike, por edhe në prodhimin e çipave, shumica e të cilave janë realizuar edhe me përkrahje të qeverisë së SHBA-ve.
Profesori i nderuar – ish nxënësi i gjimnazit tonë Dren Qerimi, më pas është ndalë në një bashkëbisedim të gjatë me nxënësit tanë, të cilët kanë shfaqur interesimet e tyre nga më të ndryshmet e në të cilat kanë marrë përgjigjet e duhura, duke u inkurajuar që asnjëherë të mos dorëzohen, të punojnë e mësojnë shumë, të ndjekin e ëndrrat e tyre dhe që sa më shumë të orientohen në shkencat kompjuterike e sidomos në fushën e programimit, e cila është ardhmja e shkencës. Ai u shpreh se edhe përgatitja e marrë gjatë shkollimit të tij në Kosovë, për të ka qenë tejet e çmuar dhe i porositi nxënësit të mësojnë sa më shumë.
Kjo ngjarje është mbajtur në kuadër të aktiviteteve për këshillim në karrierë, aktivitete këto që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.