Futboll

Drita edhe një hap më larg titullit

Pas humbjes nga Ballkani xhiron e kaluar, sot Drita ka pësuar humbjen e dytë me radhë, duke u mposhtur nga Dukagjini në Klinë. Në përgjithësi, kjo është xhiroja e tretë me radhë që gjilanasit nuk shënojnë fitore.

Takimi në fjalë përfundoi 1-0 (Blerind Morina 57’ (P) për skuadrën klinase, rezultat i cili bën që klinasit të shkojnë në 11 ndeshje pa humbje!

Përkundër rasteve të shfaqura për shënim, pjesa e parë u mbyll me rezultat të bardhë, e fitorja e vendasve erdhi në pjesën e dytë.

Penalltinë e shkaktuar nga Ovuka i Dritës, në gol e shndërroi Blerind Morina, i cili nuk gaboi nga pika e bardhë në minutën e 57’ të ndeshjes.

Që nga ai moment e deri në fund më gola nuk pati dhe ndeshja përfundoi me rezultat minimal në të mirë të vendasve të drejtuar nga Armend Dallku.

Krejt në fund të ndeshjes, Dritës iu anulua goli i barazimit për shkak të një prekjeje me dorë të topit nga Blerim Krasniqi dhe festa vendase kështu nuk u shua.

Bashkë me Prishtinën e Dritën, Dukagjini ka vetëm 2 humbje këtë sezon të Superligës. Më pak se këto tri skuadra humbje ka vetëm Ballkani, asnjë humbje për suharekasit deri më tash.

Kështu, Drita bën një tjetër hap prapa në luftën për titull, kurse Dukagjini tashmë e sheh veten mbi Prishtinën në renditje.

You Might Also Like