Prishtina nuk dinte për barazim tash e sa kohë, por hovin asaj ia ndali Drita, në ndeshjen e luajtur këtë të shtunë në Gjilan. Në fund, prishtinasit u kënaqën me një pikë, ndonëse edhe Drita edhe Prishtina mund t’i vajtojnë dy pikët e humbura.
Drita erdhi herët në epërsi. Pas një gabimi të mbrojtësit të Prishtinës, Endrit Krasniqi u pengua në brendi dhe gjyqtari me të drejtë dha penalti për Dritën. Përgjegjësinë për të gjuajtur e mori Gërbeshi, i cili dërgoi portierin Visar Bekaj në anën e majtë e topin në të djathtën dhe që nga minuta 15 Drita ishte në epërsi.
Drita mirë e menaxhoi lojën në pjesën e parë, duke mos lënë kundërshtarin që të aftrohet dhe ishte e rrezikshme në kundërsulme.
Në pjesëlojën e dytë Prishtina u sul kah porta e Dritës dhe në minutën 56, pas një depërtimi nga krahu të Thaqit dhe harkimit të tij në brendi Mankenda futi topin në rrjetë përballë portierit bullgar Kirev, që me ketë rast u lëndua dhe gjatë tërë ndeshjes pati marramendje.
Pak minuta më pas Khalid gjuajti me kokë dhe qëlloi shtyllën e djathtë. Raste të mira patën edhe Miftaraj, Bekteshi e Thaqi për Prishtinën, kurse krejt në fund Drita pati dy raste të shkëlqyeshme për t’a fituar krejt ndeshjen nëpërmjet Nuabeze, që nga afërsia për pak nuk shënoi dhe nëpërmjet Bujar Shabanit që pas gjuajtjes nga këndi e qëlloi topin me kokë, por për pak nuk ishte i saktë.