Drita ka bërë rikthimin e madh në rezultat, duke ngadhënjyer ndaj Llapit në fushën e nxehtë në Podujevë. Gjilanasit që ishin duke humbur në pjesën e parë e rikthyen humbjen në fitore në pjësëlojën e dytë dhe mbeten në garë për titull kampioni.
Në pjëslojën e parë Drita është gjetur në disavantazh ndaj Llapit, i cili ka patur topin më shumë në posedim, pati raste më të mira e një herë shënoi.
Që në minutën 8, Valmir Veliu i Llapit nga afërsia e ka qëlluar traversën. Kurse një minutë më pas ekipi nga Podujeva ia ka dalë që të shënojë. Pas një shpërthimi nga e majta, topi u harkua dhe nga këmba e mbrojtësit Cuculi u ngrit lart duke parabolluar edhe portierin Faton Maloku dhe krejt në këndin e kundërt u gjet Valmir Veliu, që me kokë futi topin në rrjetë.
Llapi ka patur mundësi që të dyfishoj rezultatin, por në minutën 25 gjuajtja e Ahmet Januzit u ndal nga kapiteni Ardian Limani, i cili me kokë shpëtoi gol të sigurt. Topi që është goditur është qëlluar fort u përplas për traverse dhe lojtarët e Llapit ngritën duart lart , duke pretenduar se topi ka kaluar vijën e portës, por në këtë rast nuk bëhej fjalë për gol.
Që nga ky moment Drita mori lojën në dorë dhe nisi të sulmojë më shumë. Pak para mbylljes së pjesës së parë, Drita ka mundur të barazojë, por Kastriot Rexha nga afërsia nuk mundi që të fus topin në portën e zbraztë. Ai ishte shërbyer shumë mirë nga e majta nga Astrit Fazliu.
Në pjesën e dytë, Drita e ka nisur ndeshjen furishëm dhe Namani ka dridhur traversën pas gjuajtjes nga largësia. Në këtë rast duhet veçuar edhe intervenimin shumë të bukur të portierit vendas Hofman. Llapi nuk mundi t’u rezistojë sulmeve të Dritës, ngase në minutën 58 pas harkimit të Ilir Blakçorit nga e majta, zëvendësuesi Almir Hajzeraj nga afërsia e futi topin pak brenda vijës fatale, por mjaftueshëm sa për t’a barazuar rezultatin në 1:1.
Drita ka vazhduar me lojë të mirë dhe në minutën 71 ka fituar një gjuajtje dënimi nga e majta. Atë e dha Erijon Vucaj që harkoi në brendi e ku aksidentalisht topin me kokë e qëlloi Ahmed Januzi, që e futi topin në rrjetë të vet për 1:2.
Llapi ka nisur të sulmojë pasi ka pësuar golin e dytë dhe pati disa raste, kurse në minutën 82 ata kërkuan penalti kur Ajzeraj luajti me dorë, mirëpo gjyqtari vlerësoi se topi ishte prekur jashtë vijës së gjashtëmbëdhjetëmetërshit, andaj dha vetëm gjuajtje dënimi nga 16 metra.
Ndonëse gjyqtari dha 6 minuta lojë shtesë, rezultati mbeti i pandryshuar, Llapi – Drita 1:2.