Gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës në Futboll ka dëshmuar se SC Drita pati fat në short dhe fitoi një kundërshtarë të lehtë, ekipin e Ramiz Sadikut nga Prishtina, që garon në Ligën e Parë të Kosovës në Futboll.
Drita superioritetin e saj e ka treguar që në pjesëlojën e parë, kur ia ka dalë që të shënojë tri herë. Ndeshja është zhvilluar në Stadiumin me bar sintetik në Gjilan dhe fillimisht për Dritën ka shënuar A. Krasniqi në minutën 8 për rezultatin 1:0. Nuk ka kaluar shumë kohë dhe me një gjuajtje nga afërsia ka shënuar edhe Namani, që ka ngritur rezultatin në 2:0, kurse autor i golit të tretë ka qenë Muharrem Jashari, që ka shënuar në minutën 39.
Në pjesëlojën e dytë, lojtarët e Ramiz Sadikut ishin më të vëmendshëm dhe nuk lejuan që Drita të shënojë, por në minutën e dytë të lojës shtesë ata shkaktuan penalti. Për të gjuajtur nga pika e bardhë topin e mori qendërmbrojtësi Cuculi, i cili gjuajti lart mbi portë dhe rezultati mbeti ai i pjesës së parë 3:0.
Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Prishtinë.