Me dy gola të shënuar në pjesëlojën e dytë, FC Drita ka arkëtuar tri pikët e para në këtë kampionat, në të cilin synon që të stoliset me titullin kampion. Bardh e kaltrit nga Gjilani, në pjesën e parë nuk patën ndonjë paraqitje për lakmi, por as kundërshtari i tyre Llapi nga Podujeva nuk pati ndonjë rast të mirë shënimi.
Ndeshja u ngjall në pjesëlojën e dytë, kur Drita filloi të sulmojë më me ngulm dhe ky presion i shtuar në ekipin mysafir dha rezultat në minutën 60 kur pas një shpërthimi nga e djathta, Besnik Krasniqi harkoi në brendi, ku më së miri u gjet Blerim Krasniqi, i cili ndonëse ishte në një pozitë të vështirë, me kthim qëlloi topin dhe e dërgoi në këndin e majtë të poshtëm të Avdylit për rezultatin 1:0.
Nuk voni shumë dhe Drita ka shënuar edhe golin e dytë, kësaj radhe nëpërmjet zëvendësuesit Prapashtica, i cili në minutën 77 i iku mbrojtjes së Llapit nga ana e djathtë dhe kur u gjet i vetmuar para portierit me urti gjuajti nën duart e tij dhe vendosi rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshje Drita – Llapi 2:0. /kryelajmi.com/.