Dy ekipet nga Gjilani, Drita dhe Gjilani do të kenë punë me ekipet mitrovicase këtë të mërkurë. Drita në fushë të vet pret Trepçën, kurse Gjilani është mysafirë i Trepçës ‘ 89.
Drita ka rastin më të mirë që të shënojë fitore, ngase e pret Trepçën, që sivjet nuk i ka punët mirë. Drita në ballafaqim me Trepçën vie pas humbjes që pësoi nga Prishtina këtë të diele, por ekipi gjilanas që deri më tashti ka arritur vetëm një fitore, atë e ka arritur pikërisht ndaj Trepçës në xhiron e parë.
Në anën tjetër, Gjilani do të jetë mysafirë i Trepçës ’89, ekip ky që po tregon formën më të mirë në këtë kampionat. Në ndeshjen e xhiros së parë të zhvilluar, Trepça ’89 pati mposhtur Gjilanin me rezultat 2:1, ndonëse minutat e fundit të ndeshjes i kishte zhvilluar me dy lojtarë më pak në fushë. Gjilani që po tregon një formë të mirë, gjë të cilën e dëshmoi në ballafaqim me Besën, ndaj të cilës ia arriti që të nxjerr një pikë, pritet që të jetë arrë e fortë edhe për Trepçën ’89.
Trepça ’89 para kësaj xhiro zë vendin e parë me 30 pikë të tubuara, Gjilani është i gjashti me 17 pikë, Drita zë vendin e njëmbëdhjetë me 5 pikë, po aq sa ka edhe Trepça, por që është në vendin e dhjetë.