Futboll

Enver Qosja, gjyqtari që sot ndërroi jetë, kishte gjykuar derbin e parë Drita – Gjilani

Fotografia: Foto Fari – Gjilan

Enver Qosja, gjyqtari i futbollit që sot ka ndërruar jetë, ka drejtuar derbin e parë në mes të Dritës dhe Gjilanit, të luajtur në livadhet e fshatit Malishevë, një fushë që në atë kohë ishte improvizuar për t’u zhvilluar ndeshjet në kohë okupimi.

Kjo ndeshje I përkiste xhiros së dytë, stinori vjeshtor në Grupin e Ferizajt, të cilin atëkohë Gjilani ’95 e kishte fituar. Është interesant se kjo ndeshje ishte ndërprerë në minutën e fundit nga gjyqtari Enver Qosja, në momentin kur Gjilani ’95 kishte shënuar golin e dytë nëpërmjet Xhevdet Mujit.

Ndonëse nëpër kushte shumë të vështira, ndeshja  ishte tejet interesante që prej minutës së parë. Për Gjilanin golin e parë e kishte shënuar Veton Xhemajli në minutën 63. Pak para se të mbyllej ndeshja, Gjilani ‘95 kishte shtuar epërsinë në 0:2, kurse lojtarët e Dritës ishin të pakënaqur me vendimin e gjyqtarit kryesor Enver Qosja nga Podujeva, duke pandehur se goli i shënuar nuk ishte i rregullt. Në ndërkohë, të pakënaqur me golin e pranuar edhe shikuesit e Dritës ishin futur brenda fushës së lojës dhe gjyqtari duke parë se nuk kishte kushte normale për zhvillimin e ndeshjes kishte dhënë shenjë për ndërprerjen e saj.

Kjo ndeshje ishte zhvilluar para 1500 shikueseve, kurse gjyqtari Enver Qosja, tashmë i ndjerë kishte ndarë kartonë të verdhë për Bujar Ramadanin (Drita), Besnik Bunjakun, Veton Xhemajlin e Artan Halimin (Gjilani ’95).

Qosja ishte një figurë rëndësishme e futbollit të Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të vështira të okupimit (1990-1999), por edhe pas luftës, si gjyqtar e më pas edhe si vëzhgues i gjyqtarëve.

Ai i përkiste gjeneratës së Republikës, një periudhë kur sportistët dhe punëtorët sportivë, me guxim të jashtëzakonshëm, i dolën zot mëvetësimit të sportit dhe shtetndërtimit përballë okupuesit serb.

Me ndarjen nga jeta të Enver Qosjës, telegram ngushëllimi dërgoi edhe Federata e Futbollit e Kosovës.

Reagimi i tyre i plotë, pa ndërhyrje:

E nderuara Familje Qosa,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe njërit prej kontribuesve të mëdhenj të futbollit të Kosovës, Enver Qosja, andaj Ju lutemi të pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit të Kosovës.

Enveri ishte një figurë rëndësishme e futbollit të Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të vështira të okupimit (1990-1999), por edhe pas luftës, si gjyqtar e më pas edhe si vëzhgues i gjyqtarëve. Ai i përkiste gjeneratës së Republikës, një periudhë kur sportistët dhe punëtorët sportivë, me guxim të jashtëzakonshëm, i dolën zot mëvetësimit të sportit dhe shtetndërtimit përballë okupuesit serb.

Si gjyqtar autoritativ, Enver Qosja ndau drejtësinë në fushat e improvizuara të futbollit me guxim dhe vendosmëri të pashembullt, duke mos u përkulur asnjëherë përballë presioneve dhe kërcënimeve të regjimit serb. Ai me shumë kolegë të tij u bënë simbol i qëndresës dhe një frymëzim për të rinjtë e kohës.

Krahas kontributit të tij në futboll, Enveri gjatë tërë jetës së tij ishte shembull edhe në edukimin e brezave të rinj llapjan, qoftë si mësimdhënës e qoftë si drejtor shkolle, teksa u shqua edhe për organizimin e aktiviteve të shumta atdhetare.

Në këto momente të vështira, ndajmë bashkë me ju dhembjen dhe ju qëndrojmë afër në përballimin e kësaj humbjeje të madhe.

Familja humbi më të dashurin, ndërsa futbolli dhe shoqëria humbën një personalitet me vlera të larta njerëzore dhe profesionale.

kryelajmi.com

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Enver Qosën!

You Might Also Like