Sportet luftarake

Erzen Rrustemi nokautoi argjentinasin Rikardo Ramirez

Kosova dhe përgjithësisht shqiptarët, nga sonte kanë një Kampion të ri bote, të parin në historinë tonë të derisotshme dhe quhet, Erzen Rustemi.
Në shtetin e Danimarkës, në qytetin Aarhus, në sallën Ceres Arena, i pamposhturi ynë në 11 meçet e deritashme, i kryqëzoi dorëzat me argjentinasin Rikardo Ramirez, i cili nga 14 meçet e tija, 11 meçe i kishte fituar me nokaut.
Por, boksieri ynë, i cili ishte përgatitur qe një kohë të gjatë për këtë meç, në mënyrën më të mirë, e nisi këtë meç, i cili ishte tejet i rëndësishëm, sepse fituesi shpallej Kampion bote në pesha të rënda, versioni WBF.
Pavarësisht turrit të argjentinasit në fillim të rundit të parë, Erzeni me gjakftohtësi dhe me disa të rëna, duke i shfrytëzuar dhe duart më të gjata, e neutralizoi Ramirezin, qysh nga fundi i këtij rundi, duke e dërguar në nokdaun, përmes të djathtës së tij rrënuese.
Edhe në fillim të rundit të dytë, boksieri argjentinas u vërsul mbi boksierin tonë, por, Erzeni dëshmoi se nuk është rastësisht në këtë rang boksierësh si dhe, fitoret e deritashme nuk i kishte të rastin.
Kah gjysma e rundit të dytë, përsëri dhe thuaja në të njëjtin vend ( në vesh) e solli sërish në nokdaun, Ramirezin.
Erzeni, i cili tashmë kishte krijuar një avantazh të madh, e përdori të djthtën e tij edhe njëherë pas numërimit nga ana e referit dhe, Ramirez nuk arriti më të ngritej.
Kjo fitore rrufe e Erzen Rrustemit, solli gëzim të madh në mesin e dhjetëra shqiptarëve të cilët ishin të pranishëm në Ceres Arena por edhe te mijëra të tjerë që po e ndiqnin përmes portalesh e rrjetesh sociale, ngase asnjë medium yni publik,nuk e transmetoi, shkaku i neglizhimit dhe mosofertimit me kohë te Organizatori i këtij meçi.
Vlen të potencohet se, meçin e sontshëm për titull të Kampionit të botës, Erzeni e nisi duke i qëndruar gatitu Himnit Kombëtar. Kurse triumfin e tij e manifestoi me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një protestë ndaj një mediumi televiziv serb, i cili kishte siguruar të drejtën e transmetimit televiziv për vendet e Ballkanit ( pa Kosovën ). Sabit Rrustemi.

 

You Might Also Like