ARSIMI

Është pensionuar Hajrije Hyseni, profesoreshë e Fizikës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”

E kishte nisur shumë e re misionin e saj për të qenë profesoreshë, duke u angazhuar në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja dhe pas më tepër se katër dekada punë, këtë mërkurë është pensionuar profesoresha Hajrije Hyseni, mësimdhënëse në Gjimnazin Natyror „Xhavit Ahmeti“ në Gjilan.

Profesoresha Hajrije sot ka mbërri moshën 65- vjeçare e kolegët e saj e kanë uruar për ditëlindje, që shënon edhe pensionimin e saj. Profesoresha Hajrije nga kolegët do të mbahet mend si profesoreshë tejet punëtore, e urtë dhe e përkushtuar në punën e saj, derisa edhe për nxënësit ishte e tillë, andaj për të nga të gjithë janë dhënë fjalë miradije për punën e bërë.

Në biografinë e saj është shënuar se ajo shkollën fillore e ka mbaruar në Shkollën Fillore „Vuk Karaxhiq“, tashti „Thimi Mitko“ për të vazhduar më pas një Gjimnazin „Zenel Hajdini“, drejtimi matematiko-natyror. Pas katër viteve të suksesshme në Fakultetin e Shkencave Natyrore – dega e Fizikës, ajo ka marrë titullin profesor i kësaj lënde, kurse në vitin shkollor 1980/1981 ka punuar në shkollën ku e kishte përfunduar edhe vetë arsimin fillor e më pas nga 1981 e deri më 1986 ka punuar profesoreshë e Fizikës në Arsimin e Mesëm të Orientuar (AMO) – faza e parë, për të kaluar më pas në Gjimnazin „Zenel Hajdini“ e më pas edhe në Gjimnazin Natyror „Xhavit Ahmeti“. Ajo ka përfunduar shumë trajnime, të cilat i ka zbatuar gjatë procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Në solemnitetin e organizuar këtë të mërkurë në shkollë, Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror „Xhavit Ahmeti“ e ka falënderuar profesoreshën Hajrije për kontributin e dhënë në arsim dhe i ka dëshiruar jetë të gjatë dhe të lumtur pranë më të afërmeve të saj, derisa edhe profesoresha Hajrije Hyseni, ka falënderuar tërë kolektivin për përkrahjen, mbështetjen dhe kolegialitetin ndër vite, duke theksuar se gjatë tërë përvojës së saj në arsim ka punuar me nder, duke u munduar që të përhap sa më tepër dije për nxënësit e saj.

Ndryshe, një solemnitet për pensionimin e profesoreshës Hajrije Hyseni dhe të dy kolegëve të saj Reshat Syla dhe Sabit Marovca është paraparë që të mbahet këtë fundjavë. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like