OPINION

Fushata elektorale dhe loja me figura të mëdha kombëtare

Shkruan : Ismet Rashiti –

Edhe fushatat elektorale e kanë një kufi. Askush nuk ka të drejtë ti përvetësoi figurat e mëdha kombëtare, thjesht për nevoja personale.

Fatkeqësisht një lojë kaq e ulët po luhet këto ditë në Gjilan, duke u përpjekur të shfrytëzohet çdo mjet financiar, institucional dhe vlerë tjetër universale kombëtare për interesa meskine personale. Thënë ndryshe gjithçka sublime ka marrë karakter elektoral. Në masën më të madhe po manipulohet me emrat e tribunëve popullor, përmes një gjuhe « patriotike » dhe « nacionaliste » në kuptimin e keq të kësaj fjale.

Një abuzim i tillë është parë edhe në fushatën elektorale gjatë muajit qershor në zgjedhjet qendrore. Loja me shtatoret e heronjëve dhe me vlerat historike nga të njejtit protogonistë, thjesht janë keqpërdorur për synime politike elektorale. E njejta gjë, bile në mënyrë shumë më agresive po ndodhë gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Që të jemi më korrekt, mbase ndonjëra nga shtatoret në Gjilan për arsye të ndryshme, duhet të lëvizë nga vendi, por gjithsesi një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë në kohë fushatash elektorale. Tashmë çdo kush e din se koha e folklorit patriotik e nacionalist të një shekulli më parë, ka kaluar. Askush nuk ka të drejtë ti keqpërdorë emrat e figurave emblematike mbarëkombëtare për interesa të ngushta personale e partiake, duke u thirrur në parulla dhe në emrin e njëfar patriotizmi primitiv. Nëse ka diçka që duhet të na mbaj të bashkuar, është pikërisht gjaku i dëshmorëve dhe vepra e pavdekshme e tyre. Kjo është vlerë që nuk guxon ta prekë askush dhe për asgjë.

Fakti i zhvendosjes së shtatorës së heronjëve, në prag të fushatës ose gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve qendrore dhe pastaj loja e këtyre ditëve me shtatorën e tribunit popullor, pikërisht në valën më të madhe të fushatës elektorale, nuk mund të kuptohet ndryshe përveq si keqpërdorim i vlerava më të mëdha e më sublime kombëtare.

Tribunët popullor nuk ka të drejtë t’i përvetësoi, e ti përdorë askush për interesa të ngushta personale në fushata elektorale. Aq më tepër kur të gjitha shtatoret, bustet e lapidarët ngriten me mjete të taksapaguesve gjilanas. Autoriteti i askujt nuk mund të rritet duke u thirrur vend e pavend në emrat e mëdhenjë të kolosëve kombëtar. Ata duhet ruajtur e vendosur aty ku e kanë vendin, duke respektuar vlerat e tyre historike.

Heronjtë dhe dëshmorët përfaqësojnë unifikimin dhe bashkimin e popullit, ndaj si të tilla, janë pjesë e pandarë në zemrën e çdo shqiptari.

Lëvizja e shtatoreve, apo vendosja e shtatoreve të reja të trubunëve popullor, gjithsesi duhet të bëhet në kohë të përshtatshme, jashtë fushatave elektorale, pa emocione me fakte dhe pa asnjë pretendim të politikës ditoire elektorale.

You Might Also Like