Edhe pse vetëm 11 vjeç, Afrimi ka pesë vite që merret me futboll dhe tashmë luan në kategorinë U13 në qytetin e Cyrihut, me klubin KF Zürich City. Babai i tij, Egzoni, tregon se trajnerët e kategorive të reja e vlerësojnë Afrimin si një futbollist me potencial të madh dhe me perspektivë të ndritur për të ardhmen.

Foto: Afrim Rama, futbollist nga i cili pritet shumë
Megjithëse i ri në moshë, Afrimi është shumë i lidhur me vendlindjen e babait të tij dhe Pozharanin e konsideron pjesë të identitetit të vet. Edhe pse ka lindur në Zvicër, ai e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe ruan lidhje të forta me traditën familjare dhe vendin e origjinës.
Afrimi shprehet se ka simpati të veçantë për klubin pozharanas KF Vllaznia Pozheran dhe dëshira e tij më e madhe është që një ditë të mbrojë ngjyrat e këtij klubi. Për të, kjo ka edhe një domethënie të veçantë familjare, pasi gjyshi i tij, Afrim Rama, ka qenë dikur futbollist i këtij ekipi. Pikërisht emrin e gjyshit e mban edhe ai.

Foto: Afrim Rama si futbollist i dikurshëm
“Gjyshin nuk e kam njohur personalisht, por për karrierën e tij më ka treguar babai im”, shprehet Afrimi.
Këto ditë, Afrimi ndodhet në pushime me familjen në vendlindje dhe së bashku me babanë po ndjek me vëmendje stërvitjet e kategorive të reja të klubit KF Vllaznia Pozheran.
Ai shpreson që në të ardhmen, kur të arrijë moshën e të rriturve, të ketë mundësinë të luajë për klubin që e do aq shumë. Në shenjë respekti dhe dashurie për këtë klub, Afrimi i ka dhuruar kryetarit të klubit, Halit Alidema, shumën prej 263 eurosh — para të kursyera nga kursimorja e tij personale — si kontribut modest për klubin.

Foto: Momenti i dorëzimit të ndihmës për kryetarin e klubit të KF Vllaznia Pozharan.
Në fund të takimit, u ndamë me këtë vogëlush, i cili luan si mesfushor ofensiv në klubin e tij në Cyrih, duke i uruar shumë suksese në karrierën sportive dhe realizimin e ëndrrës së tij për t’u bërë një futbollist i madh, si idhulli i tij, Cristiano Ronaldo, të cilin e simpatizon jashtëzakonisht shumë.
Aziz Zuka




