LAJME

Gjilani nis segmentin tjetër të shëtitores mbi lumin “Mirusha”

Gjilan, 18 tetor 2018 – Në qendër të qytetit të Gjilanit, mbi lumin “Mirusha” ka filluar projekti për rregullimin e shëtitores, projekt i cili ka pëer qëllim interesin e banorëve dhe biznesit privat.

“Sot po fillojnë punimet në lumin “Mirusha”, në pjesën jugore të zonës urbane të Gjilanit, për rregullimin e pjesës tjetër të shëtitores dhe do të vazhdojmë me financim deri në përfundimin e plotë të këtij projekti. Kjo do të jetë shëtitorja më e gjatë në Komunën e Gjilanit, e cila nuk është për qarkullim të veturave, por është e dedikuar për njerëz dhe për shfrytëzim nga ana e bizneseve”, ka thënë aikryetari I Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë fillimit të këtij projekti.

“Ky lum tashmë nuk do të jetë qendër e kundërmimit, sepse jemi duke punuar që kjo shëtitore të shfrytëzohet edhe për zhvillim të sektorit privat dhe për kushte më të mira për banorët që jetojnë këtu dhe për të gjithë njerëzit në përgjithësi. Gjithashtu, me operatorin tjetër do të punojmë në zonën tjetër të qytetit, pikërisht në këtë lum, ku do të hapet trasa deri në rrugën qarkore, ku janë përmbyllur tashmë të gjitha kërkesat e banorëve dhe në bazë të kontratës me dinamikën e paraparë do të përfundojmë edhe atë pjesëtë projektit”, ka shtuar Haziri.

Kryetari i Gjilanit pret që ky projekt të përfundohet para vitit të ri dhe për festa të shfrytëzohet edhe kjo hapësirë, derisa ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet mirëmbajtjes së projekteve të realizuara.

E nga ana e tyre drejtoresha Valbona Tahiri nga Zhvillimi Ekonomik dhe Naser Korça, nga Shërbimet Publike, kanë thënë se kjo hapësirë tani e tutje do të jetë një potencial i zhvillimit të bizneseve, i shkarkimit të qytetit por edhe mundësi e mirë për t’u shfrytëzuar nga qytetarët pa makina, që njëkohësisht promovohet edhe kultura e mbrojtjes së ambientit duke qarkulluar në këmbë.

You Might Also Like