LAJME

Gjilani nis ushtrimin e përbashkët simulues për përballimin e fluksit të mundshëm të refugjatëve

Gjilan, 17 tetor 2018 – Muajt e verës këtë vit janë përcjellur me të reshura të shpeshta që ka bërë të mundur të kemi më pak raste të zjarreve dhe njëkohësisht edhe intervenime më pak krahasuar me periudhën e njejtë të viteve të mëhershme.

Kështu ka thënë në konferencën për media drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, që mes tjerash ka potencuar edhe angazhimin maksimal të Drejtorisë në implementimin e planit të punës dhe zbatimin e strategjive dhe udhëzimeve administrative për sigurinë publike që është pjesë e këtij sektori të rëndësishëm në nivelin lokal.

Spahiu ka potencuar reshjet e shiut të cilat kanë qenë herë pas here edhe me intensitet më të lartë, por sipas tij përpos dëmeve materiale, nuk kanë shkaktuar dëme të tjera, lëndime apo raste me fatalitet.

“Në periudha të caktuara deri më tani gjatë këtij viti kishim reshje të shpeshta të shiut dhe erëra të fuqishme, të cilat janë përcjellur me dëmtime nëpër prona të ndryshme dhe objekte, por fatmirësisht pa lëndime apo fatalitet në njerëz. Ekipet e Drejtorisë dhe të shërbimit të zjarrfikjes me kohë kanë dalë në vend të ngjarjes dhe kanë bërë sanimin e gjendjes. Janë larguar mbetjet pas reshjeve apo stuhive, është bërë intervenimi për largimin e ujit nga bodrumet e vërshuara dhe gjendja është kthyer në normalitet”, ka potencuar, mes tjerash, ai.

Në statistikat e prezantuara nga drejtori Spahiu rreth intervenimeve të drejtorisë, del se për tre muaj, zjarre fushore kanë qenë gjithsej 165 raste, intervenime teknike 20, intervenime për vërshime 6 raste dhe intervenime të tjera më të vogla.

Kjo Drejtori, gjithashtu, ka bërë edhe vlerësimin e objekteve të braktisura që shkaktojnë rrezik për kalimtarët e rastit dhe sipas drejtorit Spahiu, bëhet fjalë për 4 shtëpi dhe një shkollë të braktisur në fshatin Shurdhan.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka bërë edhe kontrollin e hidrantëve ekzistues të vendosur në hapësirat publike të Komunës së Gjilanit dhe është konstatuar se një pjesë e tyre janë jashtë funksionit dhe për këtë sipas tij është duke u përgatitur plani për funksionalizimin e hidrantëve nëpë pika të ndryshme në qytet.

Drejtori Spahiu, po ashtu, ka bërë të ditur edhe fillimin e ushtrimit të përbashkët simulues “shpata e argjendtë”, ku janë të përfshira të gjitha institucionet e emergjencave, të sigurisë, të rendit dhe drejtori të ndryshme për trajtimin e refugjatëve që mund të vijnë në Gjilan.

You Might Also Like