Gjilan, 2 tetor 2018 – Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Gjilanit, Sadudin Berisha, ka apluar uzurpatorët e pronës publike që t’i lirojnë pronat e uzurpuara që nga paslufta deri në fund të tetorit, në mënyrë që ato të shfrytëzohen për interes të përgjithshëm.
Në të kundërtën, sipas Berishës, do të veprohet me urdhëresa ekzekutive që do të koordinohen edhe me Drejtorinë e Inspeksionit.
“Në Gjilan kemi të evidentuara 37 raste të uzurpimeve të pronës publike. Uzurpimet janë që nga paslufta e deri më sot. Ne jemi të detyruar të veprojmë me urdhëresa ekzekutive në koordinim me Drejtorinë e Inspeksionit, për ta kthyer gjendjen në normalitet. Ka një numër të uzurpatorëve që e kanë kthyer pronën vullnetarisht, por një pjesë e tyre ende jo. Një shembull i mirë është që kemi qytetarë të shumtë që kanë falur tokën për interesin publik, për realizim të projekteve të ndryshme dhe për këtë jemi falënderues, sepse kanë ndihmuar realizimin e projekteve”, ka potencuar Berisha në konferencën me gazetarë.
Berisha, ka potencuar punën që bëhet në këtë Drejtori dhe angazhimet tjera gjatë këtij 9-mujori, krahas detyrës zyrtare që nga matjet, caktimi i pikave për projekte të ndryshme publike, kthimi i përgjigjeve për qytetarë dhe procedimin e të dhënave, regjistrimin e pronave dhe aktivitete të shumta të cilat janë të përditshme.
“Për këtë periudhë kohore Drejtoria jonë ka lëshuar mbi 17 mijë produkte të ndryshme për qytetarë nga fusha të ndryshme të përgjegjësisë së gjeodezisë, kadastrit dhe pronës”, tha ai.
Ai ka thënë se periudha e mbetur e vitit do të shërbej edhe më tutje për realizimin e planifikimit të drejtorisë në kuadër të zhvillimit të projekteve publike, shërbimeve më të mira dhe të shpejta për qytetarët dhe gjithashtu vazhdimin e punës për rritjen e efikasitetit në përgjithësi.