Gjilan, 15 qershor 2018 – Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me ansamble të ndryshme nga Gjilani dhe qytete të ndryshme, me këngë e valle kanë shënuar mbrëmë deri vonë 15 qershorin, Ditën e Çlirimit të Gjilanit.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë në këtë koncert se aktivitetet e Komunës së Gjilanit për Ditët e Festës së Çlirimit kanë zgjatur një javë për të përfunduar me këtë konfert të këngëve dhe valleve popullore.
“Ky përvjetor brenda vetes ka një histori sa të dhembshme, aq edhe të lavdishme të popullit tone. Për të arritur deri te ky qëllim që sot të festojmë lirshëm janë sakrifikuar që nga foshnja në djep, e deri te personi më i moshuar, shumë të rinjë e të reja, që përulemi para veprës që ata kanë bërë. Që nga homazhet para varrezave të dëshmorëve, lapidarëve e shtatoreve, pastaj aktivitetet tjera në art, kulturë, arsim, shpalljen e më të dalluarve të vitit, pastaj ndarjen e çmimit “Qytetarë Nderi” dhe aktivitete të tjera”, ka thënë ajo.
“Deri sonte Gjilani ka qenë i mbushur me aktivitete të ndryshme që kanë përçuar festë për gjithë qytetarët pa dallime. 15 qershori i këtij viti është festë e dyfisht për gjilanasit, sepse pos ditës së çlirimit, jemi edhe në festën e Bajramit, që është mesazh për solidaritet dhe humanizëm më të madh me familjet në nevoj”, ka thënë ajo mes tjerash.
Në këtë koncert festiv, i cili ka zgjatur deri në orët e vona, publiku gjilanas në sallën e Teatrit është argëtuar nga këngëtar e angazamble të ndryshme kulturore të Gjilanit, Komunave pjesëmarrëse nga Kosova, Kumanova dhe qytete tjera shqiptare.