Gjilan

Haziri falënderon ambasadorin e Norvegjisë për mbështetjen ndaj Gjilanit



22 mars 2019 –  Pas konferencës  së mbajtur në Gjilan me temën “Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Alternativat dhe Opsionet”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka zhvilluar një takim të veçantë me ambasadorin e Norvegjisë në Kosovës, Per Strand Sjaastad.

Kryetari Haziri me këtë rast e ka informuar ambasadorin norvegjez për gjendjen politike në Gjilan, ndërkaq e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

Kreu i Gjilanit, po ashtu, e ka falënderuar ambasadorin Per Strand Sjaastad, për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të shtetit Norvegjez për Kosovën, e për Gjilanin në veçanti.

“E falënderova ambasadorin Sjaastad për mbështetjen e Ambasadës ndaj qytetarëve të komunës sonë, ndaj të rinjve e të rejave. Norvegjia ka një peshë dhe rol të veçantë dhe një angazhim e interesim serioz sa i përket komunës sonë”, ka thënë Haziri.

Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe për bashkëpunimin e mirë që e kanë pasur, përderisa ka rikonfirmuar mbështetjen Ambasadës së Norvegjisë për qytetarët e Gjilanit.

 

Ndryshe, të premten është mbajtur tryeza e rrumbullakët me përfaqësuesit e partive politike në Gjilan, e cila është organizuar nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, ku është diskutuar lidhur me dialogun me Serbinë, alternativat dhe opsionet.

You Might Also Like