Gjilan

Haziri: Mezi po pres t`i shoh në qytetin e Gjilanit skulpturat e gruas, gurbetçarit dhe të tjerat

Gjilan, 12 nëntor / Në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, janë shpallur sot fituesit e konkursit për skulptura monumentale, të cilat komuna e Gjilanit do t`i vendos në hapësirat publike.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, tha se komisioni ka bërë një punë të mirë me përzgjedhjen e veprave artistike për skulptura që simbolizojnë, prej gruas e deri te gurbetçarët, duke e ditur se Gjilani ka numër të madh të popullatës së vetë jashtë vendit.

‘Jam i impresionuar me punën e artistëve dhe mezi po pres që t`i shoh të realizuara këto skulptura, sepse Gjilani ka merituar kaherë që t`i ketë këto vepra dhe ja tani po vjen koha me i vendos në vendin e vet këto figura që janë pjesë e historisë dhe të ardhmes sonë dhe që qytetit i japin vlerë”, ka thënë Haziri.

Erson Zymberi, kryetar i komisionit, tha se për monumentin e gruas “Heroina e qytetit” është përzgjedhur punimi i Butrint Morinës.

Për monumentin “Gurbetçari” janë përzgjedhur dy punime, me autor Sali Musliu dhe Rexhep Arifi.

Për monumentin “Sportisti” që u dedikohet të gjithë sportistëve, është përzgjedhur punimi i Sali Musliut.

Për monumentin ,,Drama shqipe” dedikuar teatrit të qytetit, punimi i autorit Bekim Korça.

Për monumentin kushtuar ‘Tolerancës dhe paqes’ që u dedikohet qytetarëve të Gjilanit të cilët i karakterizon toleranca, mirëkuptimi dhe traditat, është përzgjedhur punimi i Kushtrim Beqirit.

Komisioni ka qenë i përbërë nga: Erson Zymberi, Qamil Llapashtica dhe Miradije Shahiqi Maliqi.

You Might Also Like