Gjilan, 21 prill 2021 – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, me drejtorët komunalë, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të Gjilanit, në kujtim të jetës, veprës dhe sakrificës që kanë bërë dëshmorët e rënë në këtë datë si Ibrahim Uruqi, Muharrem Ibrahimi dhe Bahtir Jahiri.
Ismajli, pas homazheve, ka thënë se angazhimi i Komunës së Gjilanit është gjithmonë në funksion të jetësimit të amanetit të dëshmorëve që ishte liria, zhvillimi dhe prosperimi i vendit të tyre.
“Ata kanë sakrifikuar jetën, jo për veten dhe familjen e tyre, por për të gjithë shqiptarët që edhe ne sot të jetojmë, punojmë e të prekim lirinë e gjakut të tyre. Amaneti i tyre është detyrë dhe obligim për të gjithë ne që të punojmë më shumë, që ky vend të ketë zhvillim dhe shpresë për brezat e rinjë. Të nderuara familje të dëshmorëve, martirëve dhe të zhdukurve, u falënderohemi deri në përkulje për sakrificën e cila nuk kompenzohet assesi, me atë që dëshmorët dhanë për neve, larine. Ata u sakrifikuan për ditët e bardha të lirisë”, ka thënë në fjalën e tij nënkryetari Ismajli.