Gjilan, 20 prill 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e mbajtur sot, ka zgjedh kryetarin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, gjyqtarin Venhar Salihu.
Anëtarët e KGJK, pas shqyrtimit të rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistim, hynë në procesin e votimit, ku gjyqtari Salihu mori shumicën e votave.
Mandati i tij është pesë vite dhe do të ushtrojë këtë pozitë deri në prill të vitit 2027.
Më poshtë po e japim një biografi të shkurtër të kryetarit të zgjedhur:
Venhar Salihu, është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil të Gjykatës Themelore të Gjilanit.
Salihu ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, kurse Provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2012/13.
Nga janari i vitit 2006 deri në maj të vitit 2008 ai ushtroi detyrën e ass. të avokati në Zyre të Avokatisë, ndërkaq nga maji i vitit 2008 deri në maj të vitit 2015 ka ushtruar detyrën e Asistentit të Lartë Ligjor për Verifikim në Agjencinë Kosovare të Pronës (KPA).
Më 19.05.2015 është emëruar si gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil dhe ende vazhdon ta kryej këtë detyrë.
Gjyqtari Salihu nga 1 janari i vitit 2019 deri më datë 10 janar 2022, ka qenë shef i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Ndërsa, nga 1 maji i vitit 2021 deri më 31 mars 2022, ka qenë mbikëqyrës i Degës së Gjykatës Themelore në Novobërdë.