Drita është kthyer në formën të cilën e kishte kur ishte kampion dhe ka varguar fitoret, të cilat e kanë ngritur lart në tabelë.
Gjilanasit kanë arkëtuar tri pikë të vlefshme në ballafaqim me Flamurtarin dhe tashti synimi i mbrojtjes së titullit është bërë realitet.
Ndeshja nuk nisi mirë për Dritën, ngase që në minutën e parë është lënduar qendërsulmuesi Betim Haxhimusa, i cili pati një tërheqje muskulore dhe në vend të tij u desh të futej Haxhi Neziraj.
Drita erdhi në epërsi në minutën 25, kur Xhevdet Shabani shpërtheu nga e djathta, u fut në brendi dhe harkoi në mes, mbrojtja e Flamurtarit gaboi duke mos mundur të nxjerrë topin, kurse ishte Endrit Krasniqi që e qëlloi topin me maje të këëpucës dhe e futi në portë.
Në minutën 38 rast të mirë pati Shillova i Flamurtarit, por gjuajtjen e tij e priti Rexhepi, kurse një minutë më pas ka rrezikuar Neziraj, por nga vija e portës topin e largoi Shabani.
Në pjesën e dytë dy raste të mira për Flamurtarin i patën Shillova që dobët gjuajti me kokë dhe Bruqi që gjuajti nga largësia, por që topi shkoi jashtë portës.