Banorët e fshatit Karaqevë kanë kërkuar që në Bruksel e Uashington të trajtohet problemi i brezit kufitar, problem ky që ata i mundon që nga viti 2001.
Selver Lenjani, që është më i zëshmi në këtë aspekt, ka theksuar se që nga viti 2001, Serbia pretendon të shkëput këtë pjesë të Karaqevës, gjegjësisht të territorit të Republikës së Kosovës, andaj sipas tij, kërkesë e banorëve është që në takimet që do të mbahen në Bruksel në muajin gusht dhe në shtator në Uashington, në tavolinën e bisedimeve të trajtohet edhe ky problem dhe që një herë e përgjithmonë të stopohet hyrja e xhandarmërisë serbe e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve, të cilët vazhdimisht kanë shkelur territorin e Kosovës të armatosur dhe me lloj-lloj mjetesh motorike.
Lenjani thekson se duhet sensibilizuar kjo çështje, andaj besojnë se Brukseli, Uashingtoni, Nju Jorku, Berlini, Parisi, Londra, Gjeneva do ta mbështesin ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Në këtë qëllim Bashkësia Lokale e fshatit Kraqevë ka njoftuar edhe presidentin, kryeministrin, kryeparlamentaren dhe shefin e grupit negociator Skender Hysenin.