OPINION

Kërkesat e shqiptarëve të  Luginës nuk bën të injorohen  

 
Shqiptarët autokton të Luginës së Preshevës të lodhur nga keqtrajtimet dhe padrejtësitë e Serbisë që nga viti 1912, u detyruan që edhe një herë, në fillim të këtij shekulli, t’i kapin armët për realizimin e të drejtave të tyre legjitime. Ata u pajtuan që ta ndërpresin luftën vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve të cilët premtuan të drejta për shqiptarët, të cilat i evidentuan në Marrëveshjen e Konqulit, të nënshkruara nga Shteti i Serbisë, përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë të shqiptarëve të Luginës, por të cilat Serbia kurrë nuk i realizoi.
Injorimi i referendumit të vitit 1992 dhe marrëveshjes së Konqulit   të nënshkruar edhe nga ana e Serbisë në vitin 2001, i detyroi shqiptarët e Luginës ta hartojnë Platformën politike të vitit 2006, pastaj Planin Shtatë Pikësh të miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë, më 4 qershor 2013.
Me qëllim të realizimit të të drejtave të tyre, në vitin 2015 shqiptarët  ndërmorën iniciativën për formimin e asociacionit të komunave shqiptarët, por edhe kjo iniciativë mbeti pa përkrahje.
Duke mos hequr dorë nga realizimi i të drejtave të tyre, në mars të vitit 2023 përfaqësuesit institucional dhe politikë të Luginës së Preshevës dolën me kërkesën për përfshirjen e çështjes  së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë.
Përfaqësuesit shqiptarët po kërkojnë nga Qeveria e Serbisë implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tash, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, ndaljen e shlyerjes së adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe rishqyrtimin e dokumenteve të pasivizuara.
Shqiptarët e Luginës thjesht po kërkojnë të ndërpritet diskriminimi i tyre nga ana e shtetit serb, po ashtu po kërkojnë që të drejtat e tyre të jenë në nivelin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Kërkesa këto që askush nuk ka mundësi t’i kundërshtojë.
Deklarimet e ndërmjetësuesëve në dialogun Kosovë – Serbi, se në marrëveshjen aktuale që po diskutohet në Bruksel nuk mund të futen elemente të reja, si ajo e Luginës, e pengojnë normalizimin e marrëdhënieve  në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan sepse reciprociteti është element bazë për
arritjen e marrëveshjes në çdo situatë dhe nuk mund të konsiderohet si element i ri.
Shqiptarët e Luginës janë faktor i rëndësishëm që mund të ndikojnë në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy popujve, por normalizimi do të ndodh vetëm atëherë kur kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës  të plotësohen nga Serbia.
Shteti i Serbisë, që po udhëheq politikë jo parimore nuk do t’i realizojë kërkesat e drejta të shqiptarëve, derisa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po angazhohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, të angazhohen edhe për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Ismajl Kurteshi, prill 2023

You Might Also Like