Sportet me dorë

Klubi i karatesë “AS” përfundon vitin 2024 me 117 medalje të fituara

Klubi i karatesë “AS” përfundon vitin 2024 me 117 medalje të fituara

Klubi i Karatesë “AS” nga Gjilani, i drejtuar nga trajneri i njohur kosovar Alban Beqiri, ka përfunduar vitin 2024 në mënyrë triumfale, duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenat vendore dhe ndërkombëtare. Gjatë këtij viti, karateistët e klubit kanë fituar gjithsej 117 medalje, prej të cilave 33 medalje të arta, 31 medalje të argjendta, dhe 53 medalje të bronzta.

Karateistët e këtij klubi janë garuar në shumë kompeticione të rëndësishme, duke përfshirë gara shtetërore, kombëtare, Ballkanike, Evropiane dhe Botërore, duke treguar se “AS” është një klub me nivel të lartë profesional dhe me rezultate të shkëlqyera. Ky sukses është një dëshmi e angazhimit dhe punës së palodhur të trajnerit Alban Beqiri, i cili tashmë është një emër i njohur dhe i respektuar në sportin e karatesë kosovare.

Një ndër sukseset më të mëdha të vitit ishte arritja e Erina Sherifit, e cila u shpall kampione Ballkanike. Gjatë këtij viti, Erina fitoi gjithsej 17 medalje, prej të cilave 9 të arta, 5 të argjenda dhe 3 të bronzta.

Po ashtu, një tjetër sukses i madh ka ardhur nga karateistët Daris Rahimi, kampion i Kosovës, i cili arriti 16 medalje (7 të arta, 5 të argjenda dhe 4 të bronzta), dhe Bora Gagica me 15 medalje (3 të arta, 3 të argjenda dhe 9 të bronzta).

Ndër të tjera, sukseset janë përhapur në shumë emra të tjerë të talentuar, si Klara Beqiri, Elorin Musliu, Hatixhe Zejnullahu, Alea Ajeti, Xhan Ilazi, dhe shumë të tjerë, që kanë kontribuar me medalje të arta, argjenda dhe bronzi, duke treguar një potencial të jashtëzakonshëm.

Në total, karateistët e klubit “AS” morën pjesë në 10 turnire zyrtare brenda Kosovës, si dhe në gara ndërkombëtare në Strugë, Tetovë, si dhe në kampionatet Ballkanike dhe ato Evropiane dhe Botërore. Ky angazhim ka sjellë një grumbullim total prej 8960 pikësh sipas rregullores së Federatës së Karatesë së Kosovës.

Për të gjitha këto sukseset, trajneri Alban Beqiri është shprehur:
_”Ka qenë një vit me shumë aktivitete, si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e garuesve, dhe mendoj se mund të kishim arritur edhe më shumë nëse do të kishim pasur më shumë fat. Klubi ynë ka shumë talente dhe shpresoj që viti 2025 të jetë edhe më i frytshëm. Falenderoj të gjithë karateistët për punën e tyre, si dhe prindërit që besojnë te ne dhe i mbështesin fëmijët e tyre. Po ashtu, falënderoj Federatën e Karatesë së Kosovës për punën e shkëlqyer që po bën.”_

Në përfundim, trajneri Beqiri dhe të gjithë anëtarët e klubit “AS” u kanë uruar qytetarëve dhe sportistëve shëndet dhe suksese për vitin 2025.

You Might Also Like