Ndeshja në mes të Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit në Ligën e Parë Grupi B është anuluar pasi sipas Komisionit të Garave ajo ka qenë e kurdisur.
Kështu thuhet në vendimin për këtë ndeshje, teksa përballja do të regjistrohet si ndeshje e luajtur, por pikët dhe golat nuk do të regjistrohen.
Përballja Ulpiana-Vllaznia ngjalli shumë polemika fundjavën e kaluar, me mënyrën se si Vllaznia shënoi golat, ku pozharanasit fituan ndeshjen 4-3.
Dy skuadrat dolën me komunikata, duke e mohuar, por tani FFK thotë se bazuar në provat që ka, kjo ndeshje ka qenë e kurdisur.
Madje të dy klubet dhe disa lojtarë tashmë janë në procedurë disiplinore dhe dënimi ndaj tyre pritet të jetë i madh.
Ulpiana këtë sezon kishte humbur dy ndeshje me rezultat zyrtare për shkak të gabimeve në protokollet e ndeshjeve. /Gazeta Olle/