Gjilan

Komuna e Gjilanit, me aktivitete të shumta shënoi 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me aktivitete të shumta të organizuara nga Komuna e Gjilanit, është shënuar 17 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, bashkë me nënkryetaren Leonora Morina Bunjakun, drejtorë, zyrtarë e këshilltarë komunalë, artistë dhe qytetarë nga vise të ndryshme shqiptare gjatë gjithë ditës kanë marrë pjesë e festuar në një varg aktivitetesh.

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, tha se Ditën e 17 Shkurtit e nisën me një seancë solemne në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ku u përkujtua rruga e gjatë dhe sakrificat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Kjo seancë ishte një moment reflektimi dhe krenarie, ku u theksua rëndësia e këtij përvjetori për kombin tone”, tha Hyseni.

I pari i Gjilanit tregoi se më pas, vazhduan me homazhe tek Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan si shenjë nderimi për ata që dhanë jetën për lirinë tonë.

“Gjaku i dëshmorëve, sakrifica e popullit dhe ëndrra e brezave bënë që sot të festojmë Kosovën- shtetin e lirë, të pavarur dhe krenar. Gjilani dhe gjithë Kosova sot kujtojnë rrugën tonë drejt lirisë dhe përkulen me nderim para atyre që e bënë këtë ditë të mundur. Le të punojmë çdo ditë për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për të gjithë”, tha Hyseni.

Më pas si pjesë e festimeve për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Gjilanit, tha se patën kënaqësinë dhe nderin të mirëpresim një delegacion të veçantë nga Shqipëria, i përbërë nga personalitete të shquara në fusha të ndryshme.

Në këtë vizitë morën pjesë: Prof. Dr. Av. Astrit Memia, kryetar i Forumit “Imazh & Media – Imazhi Shqiptar dhe Identiteti Kombëtar”. Bislim Hoti, ish-nënkryetar i Parlamentit të Kosovës. Idriz Brahimaj, Kryetar i KIKK. Lulëzim Kryeziu, humanistë nga Zvicra.

I pari i komunës shtoi se ky takim shërbeu si një moment i rëndësishëm reflektimi dhe bashkëpunimi mbi vlerat kombëtare, rolin e diasporës dhe promovimin e imazhit shqiptar në botë.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të diskutojmë rreth sfidave dhe perspektivave për forcimin e unitetit dhe identitetit kombëtar. Gjithashtu, për mua ky takim pati një domethënie të veçantë, pasi pata nderin të pranoj Çmimin me titull:

“Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë”, një vlerësim që më jep edhe më shumë motiv për të vazhduar punën dhe angazhimin tim në shërbim të gjithë qytetarëve”, tha Alban Hyseni.

I pari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, tha se dita e hëne ishte e mbushur me një sërë aktivitetesh që e bënë festën edhe më të veçantë, nga koncertet festive, aktivitetet sportive e deri te ekspozita artistike, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

You Might Also Like