ARSIMI

KOSOVA FITON NJË MEDALJE TË BRONZTË NË OLIMPIADËN BOTËRORE TË GJEOMETRISË – IGO 2017

 

shkruan: Festim Shkodra, prof. i mat.

      Olimpiada e 4-të Ndërkombëtare e Gjeometrisë – IGO 2017, sivjet u mbajt në 44 shtete të botës më 7/09/2017. Në këtë garë morën pjesë me mijëra nxënës të ndarë në tri kategori: elementare, mesatare dhe e avancuar. Nxënësit nga këto shtete, iu nënshtruan njëkohësisht kësaj gare, në teste të njëjta nëpër shtetet e tyre. Republika e Kosovës sivjet mori pjesë për herë të parë në këtë olimpiadë. Matematikanët e rinj të Kosovës vazhdojnë kështu krahas garës, njëkohësisht edhe me afirmimin e shtetit të tyre. Gara në Kosovë u përkrah dhe organizua nga Instituti ”Atomi” në Prishtinë.

Suksesi i matematikanëve të rinj nga Kosova, në nivel ndërkombëtar vazhdon tutje. Kështu Shend Zhjeqi  nxënës i ri i talentuar nga Prishtina, i solli përsëri Kosovës një medalje të çmuar, atë të bronztën nga Olimpiada Ndërkombëtare e Gjeometrisë – IGO 2017, në kategorinë e avancuar. Të përmendim se sivjet Shendi është i vetmi nxënës nga trevat shqiptare, që arriti të fitoj medalje në këtë garë me renome botërore për gjeometri. Pra Shendi sivjet i solli dy medalje të bronzta nga olimpiadat ndërkombëtare të matematikës: IMO 2017 dhe tani IGO 2017 si dhe ishte njëri ndër të paktët në botë që zgjidhi 100 % detyrat e testit Kangaroo 2017, në kategorinë e tij.

Poashtu, edhe nxënësi gjilanas Viktor  Ahmeti  tregoi sukses të lakmueshëm në kategorinë mesatare, pasi i mungoi  vetem një pikë që të fitonte edhe ky medalje të bronztë . Por edhe nxënësja tjetër gjilanase Rinesë Morina, ka arritur rezultat solid në kategorinë elementare, ku doli e para në Kosovë për këtë kategori.

Niveli i detyrave të kësaj olimpiade është pothuajse i njëjtë me atë të Olimpiadës Matematike Ndërkombetare – IMO.

Ju lumtë Shend, Viktor dhe Rinesë!

Suksese të mëtejme juve dhe të gjithë matematikanëve tjerë të rinj shqiptarë!…

 

 

 

You Might Also Like