Shkruan: Xhylije Ibrahimi
Në Kosovë, as zgjedhjet nacionale dhe as zgjedhjet lokale, nuk fitohen ende, për fat të keq, me programe zhvillimore, por me akuza, shpifje, korruptim të votës e fyerje të rivalëve. Këtu nuk mund të flitet për zhvillim, derisa premtime kryesore, edhe pas 18 vitesh, ende janë uji i pijes, ujërat e zeza, ndriçimi, asistenca sociale si dhe problemet tjera jetike. Sa shumë mbrapa jemi.
Kjo, edhe për fajin tonë, sepse kemi zgjedhur njerëz që në rend të parë janë angazhuar për interesa personale, familjare, klanore, partiake e të tjera dhe më së paku kanë menduar për popullin e vetë. Prandaj, sot në Kosovë, kemi një popull të varfër dhe shumë politikanë të pasur.
Besoj se 22 tetori i këtij viti do sjellë një shpresë të re për banorët e Kosovës, në përgjithësi e në veçanti ata të Gjilanit. Eshtë në dorën e qytetarëve për të vendosur. Më 22 tetor duhet të mendojnë për fëmijët e tyre, që ata të mos mbesin nesër rrugëve, me diploma fakulteti, me master e doktorata. Kjo ka filluar të ndihet që tani.
Prapëseprapë zgjedhja e bëjnë qytetarët.