Gjilan, 14 mars 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në kuadër të transparencës me publikun, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka prezantuar punët gjatë muajit shkurt.
Me këtë rast, kryetari Hyseni ka përmendur dhjetëra takime të rëndësishme me institucione vendore e ndërkombëtare, sikurse edhe projekte të rëndësishme për qytetarët që priten të realizohen.
Fjala e plotë e kryetarit Alban Hyseni, në konferencën për media:
Të nderuar gazetarë,
Ju faleminderit që keni ardhur në konferencën e tretë të rregullt për të shpalosur punën e Komunës së Gjilanit gjatë muajit shkurt.
Gjate këtij muaji, zhvilluam mbi 60 takime prej të cilave 28 takime me institucione vendore dhe organizata jo qeveritare, 4 takime me institucione ndërkombëtare, dy mbledhje te bordeve, një workshop dy ditor dhe 3 takime të hapura me qytetarë.
Realizuam disa vizita të rëndësishme siç janë ato në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Pejës, Kolegjin UBT dhe AAB, me të cilët lidhëm memorandume bashkëpunimi. Realizuam vizita në MKRS, MAPL e atë të Infrastrukturës. Me kërkesë të zgjerimit të bashkëpunimeve ndër-komunale dhe shtetërore me qytete rajonale dhe ato që ndajnë kufirin me qytetin e Gjilanit, realizuam dy takime të përbashkëta me Kryetaren e Preshevës, Kryetarin e Bujanocit, Likovës, Dardanës, Vitisë dhe nënkryetarin e Artanës.
Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet komunës së Gjilanit dhe Universitetit.
Në takimin koordinues të organizuar nga Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, së bashku me ministrin dhe kryetarët e komunave, diskutuam për zhvillimin e nivelit lokal.
Bashkë me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, zhvilluam një takim të frytshëm me temë diskutimi rreth stadiumit të qytetit.
U takova me drejtorin e selisë të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES), Rene Schlee, dhe koordinatorin e programit për demokratizim dhe qeverisje lokale, Egzon Osmanaj. Si fondacion që do i kushtojë rëndësi të veçantë avancimit të demokracisë deliberuese përmes një projekti specifik, krijuam partneritet të natyrshëm.
Mirëprita në takim zëvendëskryeministren, znj.Emilia Redžepi dhe Ministrin e Shëndetësisë, z. Rifat Latifi, me të cilët biseduam rreth situatës aktuale me pandeminë në komunën tonë.
Prita në takim pune rektorin e Kolegjit UBT, Universiteti për Biznes dhe Teknologji, prof.dr. Edmond Hajrizi. Nënshkruam memorandum bashkëpunimi me qëllim të lidhjes së bashkëpunimit, nga I cili mund të përfitojmë të dy institucionet.
Zhvilluam takim të frytshëm me menaxherin e projektit të Shërbimeve të Qëndrueshme Komunale, z. Stefan Mager, dhe këshilltarë të tjerë të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), organizatë e cila ka përkrahur vazhdimisht komunën e Gjilanit. Së fundmi, nga kjo organizatë përfituam si donacion 3000 kontejnerë, të cilët janë shpërndarë në tërë qytetin.
Mundësitë e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare janë një nga synimet tona, për të garantuar përfitime në të gjitha fushat për Gjilanin që duam të ndërtojmë. Rotary International, është një nga këto organizata, të cilën e mirëpritëm.
U mblodhëm së bashku, të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Vizituam dhe nderuam Memorialin e Skënderbeut dhe ritheksuam njëzëri rëndësinë e bashkimit për të mirën e përbashkët.
Drejtoria Inspeksionit ka shqiptuar mbi 15 gjoba, duke përfshire biznese të ndryshme deri tek ndërtimet pa leje. Nuk do te ketë tolerancë për shkelësit e ligjit, prandaj edhe ftojmë qytetarët që të lajmërojnë çdo shkelje qe u bëhet si konsumator.